Lidhje

Burimi nëntokësor Ogallala


Ogallala është një burim i madh uji nëntokësor i pompuar, i cili shtrihet pjesërisht nën shtatë shtete amerikane në zonën Midwest – shtetet qëndrore mes dy brigjeve amerikane. Ky burim përdoret për të siguruar ujë të freskët për njerëzit dhe për të ujitur të mbjellat. Por përdorimi i ujit për bujqësinë mund ta zbrazë atë përfundimisht, sipas një studimi nga Universiteti i Kansasit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, fermerët në Kansas po punojnë për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm.

Ferma e Mitchell Baalman-it jashtë qytetit Hoxie të Kansasit është mjaft e izoluar.
“Jemi këtu vetëm. Nuk ka shumë njerëz të tjerë.”
Dhe as shumë shi, për shkak të një thatësire të tejzgjatur.

“Jemi optimistë të përjetshëm, ne fermerët në Kansasin perëndimor. Gjithmonë mendojmë se do të bëhet më mirë.”

Toka e fermave të zotit Baalman ka qenë në pronësinë e familjes së tij për katër breza. Babai i tij lindi gjatë thatësirës së famshme të viteve ’30, kur u tha toka bujqësore dhe njerëzit u detyruan të largoheshin.

“Jemi gati në të njëjtën situatë tani.”

Por situata e tanishme ndryshon në fermën e familjes Baalman për shkak të burimit Ogallala.

Në qendër të fushave të tij të grurit, një pompë industriale thith ujë nga një pus i lidhur me një burim shumë të madh nëntokësor.
Uji arrin një sistem mbi-terren i cili lëviz ngadalë rreth e qark mbi të mbjellat. Zoti Baalman thotë se është një përmirësim i madh nga sistemi i vjetër i tubacioneve i cili e mbi-ujiste tokën.

“Dhjetë vjet më parë, mesatarisht ne mund të kemi marrë rreth 2650-3030 litra për minutë, ndërsa tani rreth 1500.”
Zoti Baalman është krenar për këto shifra. Ai është shumë i vetëdijshëm se shterimi i Ogalallës mund ta detyrojë edhe familjen e tij të largohet nga ferma.

“Fillova të kuptoja rëndësinë e ujit kur kuptova se djemtë e mi dhe fëmijët e të tjerëve duan të kthehen tek këto qyteza. Për të mbajtur dhe rritur popullatën e komuniteteve të vogla, duhet të kemi ujë.”

“Është një çështje emocionale, mendoj, për këdo që punon për ujin. Është gjithçka për këta njerëz. Pa ujë, nuk ekzistojmë.”
Katherin Wilkins-Wells është menaxherja e përgjithshme e një prej pesë distrikteve për menaxhimin e burimeve ujore nëntokësore në Kansas. Distriktet drejtohen nga borde lokale, të cilët përfshijnë fermerë si zoti Baalman. Ata punojnë me fermerët për të gjetur rrugëzgjidhje për pakësimin e përdorimit të ujit.

“Ata po studiojnë teknologji të reja, për përdorimin e mirë të ujit dhe për të parandaluar mbipërdorimin e tij. Teknologjia e re do t’i sinjalizonte impiantet ujitës kur ta fillojnë dhe ta ndalin ujitjen.”
Si optimist i përjetshëm, zoti Baalman është i sigurt për të ardhmen e fermës së tij, falë planifikimit të mirë për mbjelljen dhe ujitjen.

“Do të bjeri shi dikur dhe e vetmja gjë që ne shpresojmë është të kemi sasinë e duhur të plehut dhe hibridin e duhur për ta përdorur mirë ujin. Babai im e përjetoi një thatësirë, edhe gjyshi im. Tani është thjeshtë rradha jonë.”
Ai shpreson se përpjekjet e tij do të sigurojnë mbarëvajtjen e burimit Ogallala dhe se në të ardhmen, fëmijët e tij do të mund të mbështeten tek ai burim ujor.
XS
SM
MD
LG