Lidhje

Tregjet botërore të aksioneve shënojnë ngritje


Tregjet botërore të aksioneve u ngritën sot, pasi shefi i Bankës Qendrore amerikane tha se vazhdimi i politikave stimuluese është i nevojshëm për të vazhduar rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane.

Indekset e Dow Jones Industrial dhe Standart & Poors u ngritën deri në rreth 1 për qind në tregun amerikan të aksioneve në mes të ditës së sotme. Këto dy indekse janë në shifra më të larta se në muajin maj.

Më parë, indeksi Hang Seng i Hong Kongut u mbyll me një ngritje prej 2.5 përqindësh, ndërsa tregjet në Londër, Frankfurt dhe Paris përfunduan ditën me shifra më të larta.
Në mes të qershorit, kryetari i Bankës Qendrore Amerikane Ben Bernanke tha se politikëbërësit ishin të mendimit se nëse ekonomia amerikane vazhdonte të kishte një përparim të qëndrueshëm, Banka Qendrore në vitin 2014 mund të ndalonte blerjen e letrave me vlerë.

Banka Qendrore tani ndihmon ekonominë përmes blerjes së letrave me vlerë çdo muaj që kap shumën e 85 miliardë dollarëve. Njoftimi se kjo masë mund të pezullohej bëri që tregjet e aksioneve të pësonin një rënie të madhe. Disa invesitorë kishin frikën se normat e interesit mund të rriteshin.

Duke marrë parasysh konfuzionin e krijuar rreth qëllimit të Bankës Qendrore Amerikane në fund të një fjalimi të mbajtur të mërkurën në mbrëmje Ben Bernanke tha se ekonomia amerikane ka ende nevojë për politikat e tanishme të stimulimit.
XS
SM
MD
LG