Lidhje

Bursat reagojnë pas fitores së Donald Trumpit


Indekset e aksioneve në bursën amerikane përjetuan luhatje në orët e para të shkëmbimeve të mërkurën, pas një tronditjeje fillestare që pasoi fitoren e Donald Trumpit si president.

Luhatje pati edhe në bursat evropiane, ndërsa në Azi çmimet e aksioneve ranë menjëherë pas numërimit të votave të martën në mbrëmje, kur u bë e qartë se do të fitonte Donald Trumpi.

Në fillim të shkëmbimeve të mërkurën, aksionet në bursat evropiane pësuan rënie deri në masën 2.7%, por u rritën më pas gjatë ditës.

Në Azi, indeksi NIKKEI humbi gati 5.4%, ndërsa indeksi Seng në Hong Kong ra mbi 2.3%. Shumë aksionerë blenë metale të çmuara si për shembull ar, si një investim më i sigurtë. Çmimi i metaleve me vlerë u rrit 3.7%.

Në Bangkok, Vikas Kawatra i kompanisë SCB Securities, tha për Zërin e Amerikës se tronditja e çmimeve vë në dukje pasigurinë si rrjedhojë e premtimeve të zotit Trump për të ndryshuar në mënyrë drastike praktikat tregtare të Shteteve të Bashkuara.

Investitori miliarder, Carl Icahn, përkrahës i zotit Trump tha për gazetën Wall Street Journal se Donald Trump ka në plan të eliminojë rregullore të shumta dhe të ndihmojë bizneset që të arrijnë rritje afat-gjatë.

Analistë të tjerë në Nju Jork thonë për Zërin e Amerikës se eliminimi i disa rregulloreve mund të ndihmojë zgjerimin e sektorit të naftës dhe atij financiar, por ata shtuan se politikat e zotit Trump për të kufizuar praktikat tregtare mund të dëmtojnë të ardhurat e kompanive shumëkombëshe nga aktiviteti jashtë Shteteve të Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG