Lidhje

SHBA: Shenja pozitive pas një raporti relativisht optimist për papunësinë

  • Zëri Amerikës

SHBA: Shenja pozitive pas një raporti relativisht optimist për papunësinë

SHBA: Shenja pozitive pas një raporti relativisht optimist për papunësinë

Në Shtetet e Bashkuara, megjithatë, shenjat flasin se Uoll Striti mund ta marrë pak veten, pas një raporti relativisht pozitiv për papunësinë. Një raport i ri i qeverisë amerikane i publikuar sot, tregon një përmirësim të vogël në shkallën e papunësisë për muajin korrik, duke arritur shifrën 9.1 për qind. Megjithatë, ekonomia amerikane, më e madhja në botë, shtoi vetëm 117.000 vende të reja pune muajin e kaluar, një shifër shumë më e ulët se sa numri i nevojshëm për një rritje të qëndrueshme ekonomike.


Ekonomia amerikane thuajse ka qëndruar në vend këtë vit, duke e shtuar frikën e investitorëve, tashmë thellësisht të shqetësuar rreth përhapjes së problemit të borxhit në qeveritë evropiane.

JAVË SHQETËSIMESH NË UOLL STRIT

Tregjet e aksioneve në të gjithë botën humbën këtë javë më shumë se 2,5 trilion dollarë në vlerë për shkak të shqetësimeve në rritje se ekonomia globale po shkon drejt një recesioni tjetër dhe se Italia dhe Spanja po përfshihen nga kriza e borxhit të eurozonës.

Komisioneri i Çështjeve Monetare të Bashkimit Evropian, Olli Rehn, u përpoq sot të qetësojë investitorët, duke thënë se marrëveshjet e arritura nga udhëheqësit evropianë në lidhje me një fond rajonal shpëtimi do të vihen në zbatim brenda pak javësh.

"Dy javë më parë, udhëheqësit e eurozonës, riafirmuan angazhimin e tyre për të bërë çdo gjë që është e nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të Eurozonës në tërësi dhe të vendeve të saj anëtare. Vullneti politik për mbrojtjen e euros nuk duhet nënvlerësuar," tha zoti Rehn në një konferencë shtypi në Bruksel.

Muajin e kaluar, krerët e 17 vendeve të eurozonës arritën atë që ata e quajtën “marrëveshje historike” mbi strategjinë e krizës, duke përfshirë një plan të dytë ndihme financiare për Greqinë.

Në Shtetet e Bashkuara, tregjet e aksioneve e morën paksa veten sot pas rënies së madhe që pësuan dje. Treguesi Standard and Poor i bursës së Nju Jorkut ka humbur këtë javë më shumë se 840 miliard dollarë nga vlera e tij e tregut.

Frika e një recesioni të ri bëri që tregu amerikan i aksioneve të shihte dje rënien e nëntë më të madhe në historinë e tij, duke fshirë të gjitha fitimet e realizuara gjatë këtij viti.

Investitorët e quajnë këtë një korrigjim të tregut, po të kihet parasysh se kjo shënon një rënie prej 10 përqind krahasuar me pikën më të lartë që bursa arriti në pranverë.

"Sigurisht dhjetë për qind shihet si një korrigjim i tregut, nuk ka dyshim, por nga toni i tregut mund të ndjesh që rënia nuk ka mbaruar ende, pra në fakt mund të keqësohet më tej,” thotë Kenneth Polcari, Drejtor Menaxhues i një kompanie të bursës.

"Dhe, nëse çështja e borxhit në Evropë nuk është zgjidhur dhe gjërat nuk janë të qarta, kjo nuk do të bëjë tjetër veçse do të ushtrojë më shumë presion mbi tregjet botërore," shton eksperti.

Në dy javët e fundit, Uoll Striti është përfshirë nga shitja pothuajse e pandërprerë e aksioneve. Rënia e vlerës së aksioneve minon pasurinë e familjeve dhe ngre dyshime rreth perspektivës ekonomike.

Rezultati mund të jetë ajo që ekonomistët e quajnë rreth vicioz. Rënia e vlerës së aksioneve dëmton besimin e konsumatorit dhe i bën njerëzit të ngurrojnë të shpenzojnë.

XS
SM
MD
LG