Lidhje

Bursat reagojnë vakët ndaj planeve financiare të udhëheqësve evropianë

  • Zëri Amerikës

Bursat reagojnë vakët ndaj planeve financiare të udhëheqësve evropianë

Bursat reagojnë vakët ndaj planeve financiare të udhëheqësve evropianë

Shumica e bursave europiane patën sot rënie. Mesa duket investitorët nuk u inkurajuan nga planet e propozuara nga udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, që bënin thirrje për më shumë disiplinë ekonomike dhe unitet mes vendeve evropiane por pa masa të mëtejshme financiare.

Tregjet e bursës në Evropë reaguan sot me skepticizëm ndaj deklaratave të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Nikola Sarkozi, të cilët dje bënë thirrje për një qeveri të përbashkët ekonomike për të 17 vendet që përdorin euron. Dy udhëheqësit propozuan që kjo të përfundojë deri në verën e vitit 2012, por sipas analistëve, procesi me siguri do të përballet me vështirësi të zgjatura politike në shumë vende.

Robert Halver, ekspert i bankës Baader të Frankfurtit, thotë se një qeverisje financiare evropiane do të ishte "e dëshirueshme", në afat të gjatë, por paralajmëroi se kjo nuk mund të jetë "një zgjidhje e shpejtë".

Robert Halver, ekspert i bankës Baader të Frankfurtit

"Mos harroni se kushtetuta evropiane kërkoi dy vjet për t’u realizuar dhe ky proces do të kërkojë edhe më shumë kohë. Tregjet duan të dinë tani se si mund të stabilizohen Italia, Spanja dhe vende të tjera të paqëndrueshme."

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Olivier Bailly tha se Bashkimi i mbështet diskutimet për planin franko-gjerman.

"Ne kemi përmendur edhe më parë nevojën për të forcuar pjesën ekonomike të bashkimit ekonomik dhe monetar. Ajo që po ndodh tani që nga fillimi i krizës dhe ajo që është shpallur dje, si propozim nga Franca dhe Gjermania, shkojnë pikërisht në këtë drejtim. Prandaj edhe komisioni evropian mbështet plotësisht objektivat dhe propozimet e paraqitura," tha ai.

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës bënë thirrje gjithashtu që të gjitha vendet të miratojnë ndryshime kushtetuese deri nga mesi i vitit të ardhshëm, në mënyrë që buxhetet shtetërore të detyrohen me ligj të jenë të balancuara.

Disa analistë thonë se prirja për arritjen e balancimit të buxheteve mund të rivendosë besimin në tregjet financiare gjatë disa javëve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG