Tetëdhjetë e shtatë njerëz, përfshirë tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë, u vranë gjatë sulmeve të koordinuara ndaj tre bazave ushtarake në kryeqytetin e Burundit, tha të shtunën një zëdhënës i ushtrisë së këtij vendi.
Kolonel Gaspard Baratuza tha se në sulmet e së premtes " u vranë 79 pjesëtarë të forcave armike, 45 të tjerë u kapën dhe u konfiskuan 97 armë". Sipas kolonel Baratuzës, tetë ushtarë dhe policë qeveritarë u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën në përleshjet me sulmuesit.
Në një incident tjetër, të paktën 20 kufoma u gjetën sot në rrugët e kryeqytetit të Burundit, Bujumbura.
Trupat u gjetën në lagjen Nyakabiga të Bujumburas. Nuk është e qartë se cilët janë autorët e këtyre vrasjeve.
Një dëshmitar i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se disa prej viktimave ishin me duar të lidhura pas shpine.