Lidhje

Jashtë qarkullimit autobuzët e pasigurtë


Ndërhyrja e autoriteteve ndodh pas një hetimi që pasoi disa aksidente vdekjeprurëse me autobuzë.

Autoritetet federale në Shtetet e Bashkuara nxorrën nga qarkullimi mbi 30 autobuzë dhe morën masa ndaj kompanive që i kishin ato në qarkullim, për shkak të shkeljes së rregullave të sigurisë. Autobusët transportonin mbi 1 mijë e 800 banorë në ditë përgjatë një autostrade kryesore të shteteve lindore nga Nju Jorku në Florida në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët thonë se është ndërhyrja më masive në industrinë e transportit rrugor.

Autoritetet thanë se disa nga autobuzët në dukje luksozë dhe të rehatshëm që gjenden në disa nga qendrat e qyteteve, përfshirë Uashingtonin, mund të kenë shoferë të lodhur, të pagjumë ose të pazotë, ose mund të kenë goma të konsumuara ose frena të prishura. 116 shoferë u pezulluan për shkelje me patentat.

Ekipe zyrtarësh të Agjencisë Federale për Sigurinë e Automjeteve, të pajisur me urdhra ligjorë, ndërhynë duke ndërprerë operacionet e disa kompanive që janë të vendosura në gjashtë shtete: Xhorxha, Indiana, Merilend, Nju Jork, Karolinën e Veriut dhe Pensilvani. Sekretari amerikan i Transportit, Ray LaHood i kritikoi ashpër kompanitë e pezulluara.

"Këta autobuzë nuk janë më në qarkullim sot dhe ne do të garantojmë që ato të mos kthehen më në qarkullim”, tha ai.

Autoritetet thonë se kompanitë u janë shmangur deri tani përpjekjeve federale, përmes një manovrimi që ndodh shpesh. Sa herë që autoritetet mbyllnin një kompani, ajo rihapej me emër tjetër.

Kompanitë me çmim të lirë transporti janë të përhapura kudo dhe kompanitë e autobusit rivalizojnë ato të linjave ajrore për nga numri i pasagjerëve që është 700 milionë në vit në shkallë kombëtare.

Zyrtarët e industrisë së autobusëve thonë se i kanë kërkuar qeverisë me kohë që të marrë masa ndaj kompanive me automjete të pasigurta dhe ishin në dijeni të aksionit federal që më parë.

“Këto biznese kanë bërë gjithçka për të operuar në një nivel shumë më poshtë standardit të pranueshëm të sigurisë”, thotë Dan Ronan, një zëdhënës për Shoqatën amerikane të autobusëve.

Hetimi federal për këto kompani pasoi një valë aksidentesh vdekjeprurëse me autobusët pranverën e kaluar.

Më 12 mars, 2011, një autobus në Nju Jork rrëshqiti dhe u përplas me një shtyllë me aq forcë saqë u ça në mes. Nga 32 pasagjerët, 15 vdiqën dhe të tjerët u plagosën, disa prej tyre rëndë. Shoferi i autobuzit nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat për vrasje dhe neglizhencë.
XS
SM
MD
LG