Lidhje

Hapet në Teksas muzeu i Xhorxh W. Bushit


Pesë presidentë amerikanë u bashkuan sot në Dallas të Teksasit për hapjen e bibliotekës muze George W. Bush.

Ish presidenti George W. Bush tha gjatë përurimit se çdo president në demokraci duhet t’i shërbejë një kauze më të madhe sesa vetes.

Muzeu më i ri presidencial përfaqëson tetë vitet e stuhishme të presidentit republikan në detyrë.

Zoti Bush ishte presidenti i 43 amerikan, që shërbeu nga viti 2001-2009. Gjatë dy mandateve të tij në detyrë, vendi u sulmua nga terroristët më 11 shtator 2001, sulm që shkaktoi rreth 3000 viktima. Nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara filluan luftërat në Irak dhe Afganistan. Po gjatë kësaj presidence vendi u godit nga uragani Katrina në vitin 2005 dhe u godit nga një krizë e rëndë ekonomike, më e rënda që nga ditët e Depresionit të Madh në vitet 1930.

Muzeu me vlerë prej 250 milion dollarësh ndodhet në mjedisin e Universitetit Southern Methodist në Dallas dhe përfshin një koleksion të gjerë të informacionit gjatë presidencës së tij - 70 milionë faqe shënime dhe 43 mijë artifakte. Në muze ndodhet një riprodhim i Zyrës Ovale, si dhe një copë e shtrembëruar çeliku nga Qendra Botërore e Tregëtisë në Nju Jork që u shkatërrua në sulmin e 11 shtatorit.

Zoti Bush, një republikan, u largua nga detyra si një prej presidentëve më pak popullorë të vendit, ndonëse sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se imazhi i tij është përmirësuar disi nga mungesa e tij në skenën politike amerikane. Por ai thotë se është i kënaqur që të lerë historianët të vendosin për trashëgiminë e tij.
XS
SM
MD
LG