Lidhje

Bush - Trump në garën presidenciale


Donald Trump vazhdon të kryesojë garën mes kandidatëve republikanë në anketat e fundit të opinionit. Por ish guvernatori i Floridës Jeb Bush po shton kritikat ndaj zotit Trump dhe po thekson mbështetjen që miliarderi u ka dhënë më parë demokratëve.

Jeb Bush ka rënë në anketat e opinionit javët e fundit dhe tani po shton sulmet mbi kryesuesin e garës Donald Trump:

“Ky është një vend me diversitet. Ne duhet të na gëzojë kjo larmi dhe të përqafojmë vlerat që ndajmë ndërsa zoti Trump nuk beson në këto vlera. Ai nuk beson në tolerancën. Ai nuk beson në gjërat që e bëjnë këtë vend të madh.”

Një video e re e fushatës së zotit Bush thekson deklaratat e mëparshme të zotit Trump në mbështetje të demokratëve dhe pozicionet liberale në çështje si aborti.

Fushata e zotit Trump ka sulmuar gjithashtu zotin Bush përfshi një video që kritikon pikëpamjet e tij mbi imigracionin e paligjshëm.

Zoti Trump tani kritikon ish guvernatorin Bush se foli spanjisht në fushatë dhe se sulmet e tij shpesh kthehen në personale:

“Jeb Bush është kukull e donatorëve të tij, kjo nuk diskutohet. Ai ka lobistë dhe unë i njoh. Ka lobistë dhe gjatë ditëve të fundit ka bërë disa deklarata të pabesueshme duke u përpjekur të justifikojë luftën në Irak.”

Shumë nga rivalët republikanë të zotit Trump kanë qënë të kujdesshëm për të mos sulmuar direkt atë kështu që qasja e zotit Bush është ndryshe thotë analisti Stuart Rothenberg:

“Jeb Bush është nga të paktët republikanë që po përpiqet të sulmojë Donald Trumpin. Shumë nga njerëzit në parti kanë ende frikë nga zoti Trump. Nuk është se e respektojnë atë, nuk është se mendojnë se ai do të jetë kandidati presidencial por ka një pjesë të madhe të partisë që mendon se ai është mjaft tërheqës.”

Dikur favorit për kandidaturën republikane, Jeb Bush e gjen veten mjaft poshtë në anketa, thotë analisti politik Josh Kraushaar:

“Ai nuk duket se ka marr energji nga debati i republikanëve, dhe kjo është pengesë e madhe për Jeb Bushin. Argumenti politik është se ai është anëtari i tretë i familjes Bush dhe se nuk ka pamje elitiste për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë. Ka ende shumë nga këto shqetësime për të kapërcyer.”

Grindjet Trump-Bush po i pengojnë gjithashtu kandidatët e tjerë republikanë të cilëve nuk po u dëgjohet zëri, thotë analisti Rothenberg:

“Ai ende kryeson anketat. Kur flet Donald Trump të gjithë dëgjojnë. Ai flet shumë kështu që është e vështirë që kandidatët e tjerë të dëgjohen.”

Mundësia tjetër për të ndryshuar këtë dinamikë do të jetë debati i dytë mes republikanëve më 16 shtator.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG