Lidhje

Bushati: jemi të hapur për çdo propozim që vjen nga ana e opozitës

  • Laura Konda

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati po zhvillon në Uashington takime me zyrtarë amerikanë lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara dhe me gjendjen në Ballkanin perëndimor, ku Rusia ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për ndikim dhe ku vihet re një rritje e tensioneve brenda disa vendeve. Si anëtare e NATO-s Shqipëria kontribuon me trupa në Afganistan dhe Irak. Vizita e zotit Bushati parashikonte takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon. Ministri Bushtai ishte i ftuar për një intervistë të derejpërdrejtë në programin televiziv “Ditari”.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati ju keni zhvilluar gjatë këtyre ditëve takime në Uashington dje në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me zëvendës sekretaren e këtij këshilli, sot keni patur takime në Departamentin e Shtetit. Me çfarë përshtypjesh dilni nga këto takime, lidhur me angazhimin e Shteteve të Bashkuara, të administratës së re amerikane me Shqipërinë?

Ditmir Bushati: Si takimet në Shtëpinë e Bardhë dhe ato në Departamentin e Shtetit dhe Pentagon, kanë një unifikim të qëndrimeve përsa i takon vijimësisë së politikës së jashtme amerikane në Ballkan dhe në Shqipëri: si për sa i përket mbështjes së kursit të reformave në fushën e sigurisë, çka ka mundësuar që Shqipëria të jetë sot një vend anëtar i NATO-s dhe të prodhojë më shumë stabilitet në rajon, po ashtu dhe për sa i përket mbështetjes për reformat, në sundimin e së drejtës në ekonomi, e kam fjalën kryesisht për reformën në drejtësi që ka qenë një investim i drejpërdrejtë i administratës amerikane kryesisht gjatë periudhës së fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë që të mbeten një partner kryesor në rajonin tonë dhe besoj se edhe mesazhi i administratës Trump me ratifikimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi dhe firmosja nga ana e presidentit Trump të traktatit është një mesazh i qartë për vijimësinë e politikës amerikane në rajon.

Zëri i Amerikës: Pra ju dje ishin i ftuar në një tryezë të organizuar nga Fondi Marshall Gjerman, ku folët për pozitën e Shqipërisë në Ballkan, si aleate e NATO-s, ndikimin në rritje të Rusisë në rajon dhe për disa çështje të stabilitetit të brendshëm me të cilat përballen vendet e Ballkanit. Si e shikoni qasjen e administratës së re në Ballkan krahasuar me atë mëparshmen. A ka më tepër përkushtim ndaj Ballkanit këtë herë?

Ditmir Bushati: Natyrisht që administrata e re është ende në procesin e tranzicionit dhe nuk është sot momenti për të bërë një krahasim mes angazhimit të dy administratave, por mund të thuhet me siguri nga takimet që kam patur këtu, se administrata e re amerikane, do të ketë të njëjtën vëmendje ndaj çështjeve që konsiderohen parësore për politikën e jashtme amerikane. Dua të nënvizoj këtu reformën në drejtësi, çështjet e sigurisë, procesin e demokratizimit në Shqipëri dhe në rajoni, mos lejimin e interferencave që mund të vijnë nga aktorë të tjerë të tretë, bashkëpunimin në çështjet kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe natyrisht, një kontribut edhe më të qenësishëm dhe më të sinkronizuar ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtarë të NATO-s, për sa i përket përmbushjes së objektivave që kanë lidhje me shpenzimet në fushën e mbrotjes, që në fakt janë objektiva që janë përcaktuar që në 2014 në Samitin e Uellsit.

Zëri i Amerikës: Ju zoti ministër keni qenë gjatë administratës së re amerikane dy herë në Uashington. Pra keni kontakte dhe akses të konsiderueshëm, tek administrata amerikane. Megjithatë sikurse parti të tjera ajo Demokratike dhe LSI-ja edhe Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshje për të zhvilluar lobizëm në Shtetet e Bashkuara. Pse është e nevojshme kjo kur ju e keni tashmë këtë akses?

Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që kjo është një praktikë që e ndjekin shumë parti në botë për të patur një përfaqësim më të mirë, për t’i kanalizuar pikëpamjet e tyre në Uashington, kur dihet që Uashigtoni është qendra kryesore e politikëbërjes sot për sot në botë. Përsa i përket raporteve të qeverisë shqiptare me atë amerikane mund të them që partneriteti strategjik ndërmjet nesh do të vijojë të thellohet dhe dua t’ju siguroj qënë një të ardhme të afërt ne do të kemi zhvillime në këtë drejtim dhe kontakte në nivele më të larta me administratën e re amerikane.

Zëri i Amerikës: Meqënëse përmendët koalicionin me LSI-në... dje skadoi afati i dorëzimit të koalicioneve në Komisionin Qëndror Zgjedhor. Pra, ju dhe LSI-ja nuk u regjistruat si një koalicion për zgjedhjet e 18 qershorit. Atëherë, si do të veprohet? Do të kandidoni të vetëm në këto zgjedhje?

Ditmir Bushati: Kjo është një çështje që jam i bindur se do të trajtohet në përputhje me parashikimet ligjore dhe besoj se akti i djeshëm nga ana e koalicionit ka qenë një akt me vullnet të mirë, për t’i dhënë një mundësi tjetër Partisë Demokratike për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, për t’i dhënë gjithashtu një mundësi dialogut me PD-në, aq më tepër që dihet qëndrimi ynë, edhe thirrja që u është bërë partive popullore europiane për të lehtësuar zgjidhjen e situatës, por nga ana tjetër, duke qenë se jam në Uashington, dëshiroj të ritheksoj dhe të komunikoj me opinionin publik, atë çka m’u bë me dije sot (20 prill) në takimin me Nënsekretatirn amerikan të Shtetit, Tom Shanon, në lidhje me dy vija, apo dy linja të qarta të politikës amerikane në lidhje me Shqipërinë. Së pari, për të mos e bllokuar dhe për ta çuar më tej zbatimin e reformës në drejtësi, procesin e domosdoshëm të vetingut të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe institucionalizimin e arkitekturës së re në fushën e drejtësisë, pra ngritjen e institucioneve të reja në fushën e drejtësisë; dhe së dyti, nevojën për të marrë pjesë zgjedhjet e 18 qershorit të të gjithë aktorëve politikë dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht jo thjesht me njëri-tjetrin, por me OSBE-ODIHR-in, për të zbatuar rekomandimet që do ta bënin këtë proces më të ndershëm, më të drejtë për të gjithë.

Zëri i Amerikës: Pra, dihet kriza që ka pllakosur kohët e fundit Shqipërinë...largimi i opozitës nga Parlamenti, si dhe protesta e opozitës, e cila nuk ka besim se zgjedhjet do të jenë të drejta dhe transparente. Pra, ajo e ka humbur besimin që nuk do të ketë ndërhyrje në zgjedhje. Nga ana tjetër, ajo e akuzon qeverinë për lidhje me krimin, për shkak të përhapjes së drogës në Shqipëri dhe në mbarë rajonin. Pra, këto janë kërkesat e opozitës. Një kërkesë e saj është që të japë dorëheqjen kryeministri Rama dhe të krijohet një qeveri teknike. Në këtë kontekst, çfarë lëshimesh mund t’i bëni opozitës, në mënyrë që ajo të bashkëpunojë me ju, që ta afroni atë në zgjedhjet e 18 qershorit?

Ditmir Bushati: Administrimi i procesit zgjedhor në Shqipëri ka vite që bëhet në mënyrë bipartizane. Ju dhatë një kronikë nga ana e KQZ-së, ku shihet qartë edhe mënyra si funksionon ky institucion dhe gjithë institucionet e tjera të administrimit zgjedhor. Është normale që opozita të ketë një mendim krejt ndryshe nga ai i qeverisë, përsa i përket kursit të reformave, përsa i përket ecurisë së tyre, por nuk është opozita që mund të përcaktojë kundërshtarin politik, ashtu siç nuk është qeveria, e cila mund të prodhojë opozitën, apo që mund të përcaktojë opozitën. Është krejt normale që përsa u përket standardeve zgjedhore, krahas standardeve të arritura me mund gjatë gjithë këtyre viteve, ne të ulemi në tryezë. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë... jemi të gatshëm për të zbatuar një për një të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por edhe çdo kërkesë që vjen nga ana e Partisë Demokratike, e cila gjen mbështetje nga OSBE-ODIHR.

Zëri i Amerikës: Çfarë garancie i ofroni ju opozitës, që ajo të ndihet e sigurtë që të hyjë në zgjedhje?

Ditmir Bushati: Besojmë se garancitë nuk janë tonat, janë garancitë që ka caktuar arbitri ndërkombëtar, që është OSBE-ODIHR-i; ka disa rekomandime, për të cilat ne kemi shprehur dakordësinë e plotë, për t’i kthyer në nisma ligjore dhe në masa të tjera administrative, psh, për shitblerjen e votës për të marrë masat më të rënda penale; përsa i përket procesit të dekriminalizimit, për një lidhje më të mirë të ligjit të dekriminalizimit me kërkesat e kodit zgjedhor; së treti, për t’i bërë më profesionalë trupat e administrimit të procesit zgjedhor; së katërti, për të vendosur një raport më të drejtë, më të mirë, qoftë edhe më të lirë nga pikëpamja ekonomike për të gjithë taksapaguesit shqiptarë ndërmjet fushatës elektorale dhe mediave, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, për të realizuar një pjesëmarrje më të mirë të gruas në Parlamentin e ardhshëm shqiptar. Këto janë çështje, të cilat i ka shtruar OSBE-ODIHR-i dhe të cilat kanë gjetur dakortësinë tonë. Por nga ana tjetër, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të hapur, për çdo propozim që vjen nga ana e opozitës, nga ana e Partisë Demokratike, për ta përmirësuar procesin zgjedhor, për ta bërë më garantist. Nga ana tjetër, përcaktimi i kundështarit nuk është në dorën e aktorëve politikë. Përcaktimi i kundërshtarit është diçka që varet drejtpërdrejt nga vota e popullit.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet më të mëdha me të cilat po ndeshet aktualisht Shqipëria, për të cilën opozita gjithashtu e akuzon qeverinë, është përhapja masive e drogës. Kryeministri ka thënë se këtë vit do të ketë një strategji të re për të goditur drogën. A mund ta ndani me këtë strategji, që do të ndiqet për të luftuar drogën?

Ditmir Bushati: Së pari,kjo qeveri, ishte e para që hoqi Lazaratin nga harta e vendit, si një zonë, e cila ishte jashtë administrimit të shtetit. Së dyti, është qeveria e parë që e ka njohur fenomenin si të tillë dhe është përpjekur për ta përballur atë. Së treti, para pak ditëve, apo javëve, ne në qeveri kemi miratuar një plan veprimi kundër kultivimit të kanabisit, që ka në vëmendje jo thjesht çështjet që kanë të bëjnë me rolin e policisë së shtetit në parandalimin e kultivimit, apo në kapjen e autorëve që janë të përfshirë në këtë trafik, por edhe përfshirjen e pjesëve të tjera të shoqërisë. E kam fjalën për të zgjedhurit vendorë, për drejtues të institucioneve fetare, për drejtues të institucioneve arsimore; sepse është një përgjegjësi, e cila në fund të ditës kërkon një përgjigje më të madhe shoqërore. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, në këtë plan veprimi i cili nuk është bërë thjesht nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, apo ekspertë shqiptarë, por është bërë në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, në operacionet që po ndërmerr policia e shtetit. Këto operacione do të kenë një bashkëpronësi së bashku me përfaqësues të vendeve partnere, të cilat kanë ose ekspertë policorë në terren, apo ekspertë të shërbimeve të ndryshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG