Lidhje

Bushati: Vëllazëria fetare në Shqipëri, e rëndësishme për klimën e sotme

  • Arben Xhixho

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati foli për kontributin e vendit të tij në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, shanset për anëtarësim në BE, ligji për importimin e mbetjeve dhe takimin e pritshëm me pjesëmarrës së diasporës në nëntor. Zoti Bushati ishte në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, tema e terrorizmit mbetet një pikë e nxehtë globale. Shqipëria dhe Ballkani kërcënohen nga kthimi i luftëtarëve të huaj apo inflitrimi i tyre mes refugjatëve që vijnë nga Siria, Iraku apo Afganistani Në takimin e zhvilluar në Nju Jork për luftën kundër radikalizmit, ju e theksuat këtë si një sfidë. Çfarë masash po merr vendi juaj për t’u përballuar me këtë problem?

Ditmir Bushati: Kujdesin dhe goditjen e terrorizmit e kemi nisur me rinovimin e teksteve shkollore, në programe të ndryshme të karakterit edukativ dhe social. Ky është një fenomen, me të cilin po përballet mbarë njerëzimi dhe i cili duhet luftuar në disa fronte. Së fundi, NATO ka vendosur që në Shqipëri të ndërtojë një qendër rajonale për sa i përket parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, duke marrë në konsideratë progresin, që ka dëshmuar Shqipëria në këtë drejtim dhe vëllazërinë fetare, që shqiptarët kanë dëshmuar në kohëra shumë të vështira.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, qeveria shqiptare është shprehur e bindur se ajo meriton të marrë rekomandimin për hapjen e bisedimeve me Bashkimin europian, pas miratimit të reformës në Drejtësi. Ju para pak kohësh ishit në Bruksel së bashku me kryeministrin. Në New York u takuat sërish me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Sa janë shanset këtë herë që rekomandimi të jetë pozitiv?

Ditmir Bushati: Unë jam shpresëplotë që në vjeshtën e këtij viti Komisioni Europian do të dalë me një rekomandim për sa i përket fillimit të bisedimeve për antarësim në Bashkimin Europian, duke vlerësuar stadin e reformave dhe faktin, që Shqipëria ka bërë një reformë të gjerë në sistemin e drejtësisë, që u iniciua me ndryshimet kushtetuese, me ligjin për vettingun dhe me ligjet e tjera, që do të miratohen së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Po kështu ne kemi ecur dhe po punojmë paralelisht me shërbimet e Komisionit Euopian dhe me qeverinë e SHBA-ve, me Këshillin e Europës për të ndërtuar të gjithë mekanizmat dhe institucionet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilat pritet të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve shqiptarë por edhe të ndihmojnë në kursin e vendit drejt Bashkimit Europian. Shqipëria është një vend që projekton stabilitet demokratik në rajon, është një vend që në 100 për qind ka vijëzuar politikën e vet të të jashtme me atë të Bashkimit Europian. Ndaj janë të gjitha arsyet, të gjitha kushtet, që Komisioni Europian gjithashtu t'i qëndrojë angazhimeve dhe qëndrimeve, që ka me Shqipërinë. Një seri personalitetesh të larta e kanë vizituar Shqipërinë dhe konfirmojnë këtë që unë sapo thashë.

Zëri i Amerikës: Nëse merret rekomandimi, sa parashikoni ju të zgjasë periudha deri në nisjen e bisedimeve, duke qenë se vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë dhe zgjedhjet e reja parlamentare?

Ditmir Bushati: Gjithmonë kam qenë partizan i politikës së hapave të vegjël si në raport me fqinjët, kur bëhet fjalë për raporte madhore që ne diskutojmë ashtu edhe në këtë proces. Ne jemi fokusuar fillimisht te rekomandimi dhe më pas do të duhet që të punojmë mbi vendim-marrjen që do të vijë nga ana e vendeve anëtare për fillimin e bisedimeve për antarësim dhe modalitetet, që vendet antare së bashku me Komisionin Europian do të përcaktojnë për fillimin e bisedimeve për antarësim. Por e rëndësishme është që trajektorja e Shqipërisë në këtë proces të jetë ajo që ne dëshirojmë të gjithë, sepse në analizë të fundit, edhe nga bisedat që kam patur këtu, edhe me përfaqësuesen e lartë Mogherini, me ministrin e jashtëm Shtajnmajer dhe me shumë kolegë të tjerë dashamirës ndaj Shqipërisë dhe ndaj zhvillimeve në Shqipëri, procesi i zgjerimit është në interesin strategjik të Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit, përfshi Shqipërinë, pra, është një interes i dyanshëm, do të thoja.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, në marrëdhëniet me një vend të Bashkimit Evropian, me Greqinë, mbetet e hapur çështja e përcaktimit të kufirit detar. Në deklaratat tuaja pas takimeve që keni patur me homologun grek keni thesuar se do të angazhohen grupe pune për të parë rrugët e zgjidhjes së këtij problemi. Megjithatë në Tiranë ambasadorja e re greke në një intervistë është shprehur se kjo është një çështje e zgjidhur me marrëveshjen e 2009. Si e shpjegoni këtë qëndrim, a ka një rithim të Athinës në pozicionet e saj fillestare dhe ku është procesi për zgjidhjen e këtij problemi?

Ditmir Bushati: Ka të paktën dy vjet e gjysmë që ne kemi hapur disa kantiere pune me Greqinë duke vendosur mbi tryezë të gjitha çështjet që mbeten të hapura dhe baza, apo origjina e të gjitha këtyre çështjeve buron nga ligji famëkeq i luftës, që është ende në fuqi nga ana e Greqisë përkundrejt Shqipërisë. Ne i kemi kategorizuar çështjet e hapura në 3 blloqe; 1.çështje të së shkuarës së largët apo të historisë, që datojnë nga Lufta e Dytë Botëtore 2. çështje të aktualitetit me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve si dhe 3. çështje që kërkojnë njëlloj parashikueshmërie, që kanë interes strategjik për Shqipërinë dhe Greqinë. Nuk është në natyrën e një ministri të jashtëm dhe as në natyrën time që të komentoj qëndrime të caktuara të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, por mbase është momenti për t'i bërë thirrje edhe koelegëve në media, që kanë shkruar për këtë temë, që të tregohemi paksa më dashamirës me një ambasadore të re në detyrë, që ndoshta do të kërkojë kohën e vet për t'u familjarizuar me dosjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, dje parlamenti shqiptar miratoi ligjin e importimit të mbetjeve, një ligj që siç e dini, qeveriua juaj e shfuqizoi që ditën e pare të ardhjes në pushtet. Qeveria e ka justifikuar veten duke thënë se tani janë krijuar kushtet, por duket se ky argument po shihet me skepticizëm të madh. Ndërsa aspekti ekonomike është I hapur për debat, duket se kapitali politik i qeverisë tuaj, është dëmtuar. A është kjo një lloj forme që qeveria po kërkon ndjesë për një vendim të gabuar të para tre viteve?

Ditmir Bushati: Besoj se kapitali politik nuk përcaktohet nga perceptimet apo impresionet e kolegëve të nderuar të medias. Kapitali politik përcaktohet një herë në katër vite në kutitë e votimit dhe vitin tjetër ne do të kemi mundësi për të verifikuar kapitalin politik të qeverisë, maxhorancës dhe të partive kryesore politike të koalicionit. Së dyti, duhet të them se nuk është i njëjti ligj, por bëhet fjalë për modifikime në ligjin, që rregullon çështjen që po flasim dhe së treti, në dijeninë time, është një praktikë, e cila vjen në përputhje me angazhimet në kuadrin e integrimit dhe procesit europian, që mund të kenë vende të ndryshme, që mund të përfshijnë edhe Shqipërinë. Kjo temë, sado delikate në dukje për shkak të faktit që Shqipëria në të shkuarën ka patur përvoja jopozitive, është një temë e mirërregulluar në legjislacionin europian dhe nuk është temë e cila hapet për herë të parë në Shqipëri dhe për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Të rikthehemi edhe një herë tek takimet tuaja këtu në Shtetet e Bashkuara. Ju jeni takuar në Boston me diasporën shqiptare, ndërsa në tetor është parashikuar organizimi në Tiranë i një takimi të madh të përfaqësuesve të disaporës shqiptare në të gjithë botën. Por çfarë prisni konkretisht nga ky takim, çfarë mundësish ofron Shqipëria që edhe këta përfaqësues të mund të japin angazhimin e tyre në zhvillimin e vendit?

Ditmir Bushati: Ky do të jetë Samiti i parë që zhvillohet për diasporën shqiptare në Tiranë. Do të jetë një samit gjithëpërfshirës jopolitik për të krijuar një forum bashkëbisedimi mes autoriteteve shqiptare dhe përfaqësuesve tanë të diasporës në më shumë se 38 vende. Gjithashtu në samit janë përcaktuar disa tematika, ku pritet kontributi i përfaqësuesve të shquar të diasporës në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë etj. Gjithashtu, ne synojmë të miratojmë një dokument strategjik, që të ravijëzojë, përmes një plani veprimi, mënyrën se si do të ndërveprojnë në të ardhmen autoritetet shqiptare dhe përfaqësuesit e diasporës. Potenciali është mjaft i madh dhe nuk është shfrytëzuar deri tani. Ne jemi përpjekur të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ndaj të gjitha zhvillimeve, me të cilat përballet diaspora shqiptare kudo në botë. Kemi zhvilluar shumë konsulta dhe biseda. Kemi menduar që ky lloj samiti mund të jetë një format i mirë për të diskutuar disa çështje, të cilat janë thelbësore për zhvillimet demokratike në vend, për ta bërë diasporën pjesë të këtyre zhvillimeve në vend dhe për të evituar ato praktika aspak pozitive në të shkuarën, kur diaspora ka qenë ose e përjashtuar ose nuk i është dhënë vëmendja e duhur asaj, qoftë në kuptimin politik të fjalës si dhe në kuptimin ekonomik.

XS
SM
MD
LG