Lidhje

Bushati takon komisionerin Hann


Komisioneri europian i ngarkuar për Zgjerimin: Reformat të bazohen në dialog konstruktiv. Debati politik të zhvillohet në parlament

Komisioneri europian i ngarkuar për politikat e Fqinjësisë dhe bisedimet për Zgjerimin, Johannes Hann tha sot se është e rëndësishme që reformat në Shqipëri të bazohen në një dialog konstruktiv dhe se debati politik duhet të zhvillohet në parlament

Keto komente ai i bëri në përfundim të takimit sot në Bruksel me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i pari takim dypalësh pas marrjes së detyrës së re nga komisioneri Hann. Ndërsa ritheksoi se Shqipëria merr përgjegjësi më të mëdha tani që ajo ka statusin e vendit kandidat, komisioneri europian u shpreh se “është thelbësore që qeveria dhe opozita të ndërmarrin hapa për të rivendosur dialogun politik në parlament e të kontribuojnë për të krijuar kushtet për funksionimin e duhur të tij” tha zoti Hann duke nënvizuar se “debati politik zhvillohet në parlament”.

Komisioneri Hann vlerësoi “angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon” të cilin e cilësoi si “një vlerë të qartë”. Ai shtoi se “është e rëndësishme që kjo të vazhdojë”, ndërsa theksoi se mirëpret që “vendet e rajonit, edhe në kuadër të procesit të Berlinit të angazhohen për të bashkëpunuar mes tyre”.

Nga ana e tij Ministri Bushati tha se Shqipëria e ka të qartë se me marrjen e statusit, para saj ka nisur një fazë e re më e vështirë. Ai evidentoi rëndësinë që ka politika e zgjerimit të BE-së për ecurinë e reformave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit dhe vlerësoi faktin se Paketa e zgjerimit 2014 e shikon zgjerimin e BE-së si projekt gjeostrategjik dhe politik.

Në Bruksel zoti Bushati ka zhvilluar me tej takime me përfaqësues të rëndësishëm të parlamentit europian, ndërsa nesër pritet të takohet me sekretarin e Përgjithshëm të Natos Jens Stoltenberg.

XS
SM
MD
LG