Lidhje

Sfidat e gazetarisë në SHBA


Gazetaria në Shtetet e Bashkuara po përballet me sfida të mëdha ndërkohë që audienca më e moshuar po zvogëlohet dhe shërbimet e reja dixhitale po hasin në vështirësi në përpjekjet për të tërhequr të rinjtë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, e ardhmja e gazetarisë mund të varet nga shumë-llojshmëria e të ardhurave të kompanive të medias.

Numri i lexuesve të gazetave është në rënie në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që të rinjtë i kthehen internetit për lajmet.

Revista Newsweek u dixhitalizua në dhjetor të vitit 2012, por muajin e kaluar filloi përsëri shtypjen e revistës nën pronarin e saj të ri, IBT Media.

Por, Kate Gardiner, një nga drejtueset e IBT-së, thotë se audienca e revistës së shtypur nuk është brezi i ri.

"Ata janë të moshuar, më të pasur dhe më të angazhuar në politikë, ekonomi dhe lajme ndërkombëtare. Ndërsa përdoruesit tanë kryesor në mediat sociale, janë të rinjtë".

Zonja Gardiner ishte një nga shumë përfaqësues të medias që morën pjesë në konferencën për prodhimet dixhitale në internet “South by Southwest”, në Austin të Teksasit.

Michael Manness i Fondacionit Knight thotë se gazetaria dixhitale është ende në një fazë të hershme zhvillimi.

"Çdo njeri mund të publikojë, mund të prodhojë, mund të ketë një zë në të, prandaj tani ka shumë zhurmë në këtë fushë".

Të rinjtë kanë prirjen për të lexuara lajme të shkurtëra. Ata nuk kanë durim të lexojnë analiza të gjata.

Megjithatë, zoti Maness mendon se organizatat e lajmeve me përmbajtje serioze mund t’i tërheqin ata.

"Ata mund të mos u shkojnë gjërave në thellësi, por ata kanë një ide të përgjithshme mbi atë që po ndodh, kështu që unë mendoj se ka një mundësi reale për agjencitë e lajmeve që të shkruajnë me hollësi, kontekst dhe me qasje të ndryshme".

Disa agjenci lajmesh në internet kanë gjetur terrenin e tyre duke u fokusuar në çështje ose lajme të veçanta, shpesh në nivel lokal ose shtetëror.

Një nga më të suksesshmet është kompania Texas Tribune, e cila mbulon ngjarjet që lidhen me politikat dhe politikën publike në shtet përmes financimeve që merr nga donacionet private dhe të ardhurat nga puna e saj në fusha të tjera.

Sipas punonjësit të Texas Tribune, Jake Batsell ky mund të jetë një model për agjencitë e tjera të lajmeve në internet.

"Ju thjesht përpiqeni të gjeni pesë ose gjashtë burime të të ardhurave që veprojnë pothuajse si biznese të vogla që operojnë në mënyrë kolektive për të krijuar të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur gjallë biznesin".

Texas Tribune ka marrë lëvdata për temat që ka mbuluar dhe dalëngadalë është duke ndërtuar një audiencë në mbarë vendin me atë që zoti Batsell thotë se është integriteti i bazuar në diversitetin financiar.

"Nëse një donator do të përpiqej të ushtronte ndikim dhe të kontrollonte përmbajtjen e lajmeve, këto lloj agjencish duke patur më shumë mbështetje kanë forcë më të madhe për t’i rezistuar dhe për t’ia kthyer donacionin".

Jake Batsell thotë se organizata tç tilla të lajmesh ndjekin me vëmendje veprimet e qeverisë, por efikasiteti i tyre, në fund të fundit, mbështetet tek audienca e qytetarëve të cilëve u shërbejnë.
XS
SM
MD
LG