Lidhje

Miratohet në parim buxheti 2014


Seanca e debatit zgjat mbi 24 orë. Kryeministri Rama: Ky është fundi i rrënimit. Ish kryeministri Berisha: Ke krijuar piramidën e financave publike

Në Shqipëri parlamenti mbylli sot pas një seance mbi 24 orëshe diskutimet mbi buxhetin dhe paketën fiskale duke i miratuar ato në parim me votat e shumicës së majtë. Palët qëndruan në pozicione tërësisht të kundërta. Ndërsa kryeministri dhe deputetët e majtë folën për një kthesë dhe një fillim të ri sipas tyre, opozita këmbënguli se projekti i qeverisë do të sillte një destabilizim të ekonomisë së vendit.



Panorama e orëve pafund e pandërprerje gjatë gjithë natës deri afër mesditës së sotme ishte ajo e dy blloqeve të rreshtuara fort secil në llogoret e saj, ndërsa argumentat teknik e politik mbi buxhetin dhe paketën fiskale u përzien shpesh me batuta, akuza e deri fyerje. Në mbyllje kryeministri Edi Rama këmbënguli edhe një herë se sipas tij buxheti i ri është fundi i rrugës së rrënimit dhe fillimi i i rrugës së rimëkëmbjes tha ai duke ju kthyer edhe një herë argumentave në mbrojtje të tij, të cilat sic tha ai cuan në një përplasje “mes një shumice që ka ardhur për të rivënë rregull në librat e llogarive të shtetit dhe një pakice që iku duke lënë pas vetëm borxhe dhe vetëm katrahurë në librat e llogarive të shtetit”.

Ish - kryeministri Sali Berisha i cili bëri ndërhyrje të shumta gjatë debateve foli sërish për rrezikun që sipas tij i kanosej vendit nga ky buxhet dhe kjo paketë fiskale, duke akuzuar për këtë kryeministrin Rama: “Merr borxh 1 miliard dollarë që nuk janë marrë kurrë dhe në asnjë vit dhe ndërton piramidën e financave publike. Në tre muaj ke rrënuar marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit, në tre muaj rrënove ekonominë e vendit dhe po e rrokullis atë, në tre muaj po rrënon kushtettën ligjet, gjykata e kontratat e vendit”.

Temat më të nxehta të debatit kishin të bënin me rritjen e borxhit publik i cili në 2014 pritet të shkojë në 74.8 përqind. Akuzave të opozitës për këtë qeveria i është përgjigjur duke shpjeguar se vetëm ka cerifikuar një borxh të trashëguar e të mbajtur fshehtë nga qeveria e mëparshme, ndërsa është angazhuar për uljen e tij duke nisur nga viti 2015. Po ashtu, edhe ndryshimet fiskale, dhe zëvendësimi i sistemit të taksës së sheshtë me atë progresive ka provokuar debate të gjata, të cila nuk mbyllen me vendimin e sotm të parlamentit. Komisionet parlamentare do të vazhdojnë diskutimet dhe të dy dokumentat do t’i nënshtrohen votës nen për nen të shtunën e ardhshme

Trego komentet

XS
SM
MD
LG