Lidhje

Shqipëri, debate për buxhetin 2014


Kryeministri Rama: “Do i japim vendit një drejtim të ri”. Ish kryeministri Berisha: “Po sillni një destabilizim të vendit”

Në Shqipëri parlamenti hapi sot debatin për buxhetin e vitit të ardhshëm. Kryeministri Edi Rama, deklaroi gjatë prezantimit të tij se projekti i qeverisë do të sjellë një ndryshimi rrënjësor dhe një fillim të ri për vendin i cili sipas tij po shkonte drejt rrënimit. Gjatë seancës pati debate dhe replika të shumta me përfaqësuesit e opozitës. Kryetari saj Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar u shpreh se buxheti dhe paketa fiskale i godet të gjitha shtresat e shoqërisë

Fjala e gjatë e kryeministrit Rama për prezantimin e buxhetit ishte mbështetur në një krahasim mes asaj cfarë e majta e ardhur në pushtet prej pak më shumë se tre muajsh, propozon dhe gjendjes tejet të vështirë që sipas tij, ka trashëguar nga e djathta sot në opozitë.
Debati për buxhetin
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00


“Sot kam privilegjin t’u prezantoj shqiptarëve një plan të ri për t’i dhënë vendit një drejtim të ri. Punësim real jo rritje të papunësisë, taksim i ndershëm, jo taksë e sheshtë, liri e konkurrencë e garantuar për sipërmarrjen jo monopole dhe dhunim i biznesit të ndershëm, shërbime publike sipas nevojës, jo sipas xhepit, zhvillim i qëndrueshëm rural, jo braktisje të fshatit në fatin e vet, mjedis i pastër dhe trashëgimi kulturore e mbrojtur, jo ndotje e shkatërrim hap pas hapi,” u shpreh zoti Rama.

Buxheti dhe paketa fiskale po diskutohet prej disa ditësh. Kalimi nga taksa e sheshtë në taksën progresive, rritja e tatimit mbi biznesin, rritje të taskave të tjera, kanë qenë pjesa me e debatuar. Por kryeministri Rama tha se rruga përpara është e vështirë dhe se ishte i vetdijshëm se jo të gjithë do të mund të mbeteshin të kënaqur: “Ky plan i ri për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe ripërtëritjen e shoqërisë as mund t’i kënaqë të gjithë dhe as do të japë frytet e veta të gjitha menjëherë. S’ka dyshim se askush pa përjashtim do të gjejë në këtë plan gjithshka që ka pritur për kaq shumë vite dhe gjithkush mund të gjejë kollaj në të, pjesën e vet të pamjaftueshme apo dhe të papëlqyeshme për të”.

Protagonist i debateve në sallë ishte ish kryeministri Sali Berisha i cili ndërhyri disa herë radhazi duke replikuar jo vetëm me zotin Rama por edhe me ministrat e kabinetit të tij: “Ju keni dyfishuar taksat, biznesin e vogël e keni rënduar shumë më tepër. Ju jeni në luftë kundër të gjithëve, kundër qytetarëve, në luftë fiskale kundër bizneseve, në varfëri dhe mjerim ndaj të gjithëve. Cmimin do e paguani ju dhe do e paguani shumë shpejt. Me këtë buxhet po sillni një destabilizim të shpejtë dhe të rëndë të Shqipërisë dhe shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë këtë që po bëni ju”.

Më herët, para fillimit të seancës edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha në mbledhjen me gupin parlamentar dhe aleatët e djathtë tha se projekti i paraqitur ishte buxheti i askujt: “Të gjithë i godet, të gjithë pa përjashtim. Të gjithë, që nga pensionisti, invalidi, pronari i një biznesi apo dyqani të vogël e deri te specialisti me kualifikim shumë të lartë apo biznesmeni i madh ndihen të humbur me paketën fiskale hileqare, të padrejtë dhe cinike të qeverisë”.

Përvec problemeve që sipas tij do të sjell rritja e taksimit, një shqetësim madhor i projektit të qeverisë sipas zotit Basha është fakti se ai nuk trajton cëhstjen e papunësisë duke mos ofruar asnjë stimul për vende të reja pune, tha zoti Basha.
XS
SM
MD
LG