Lidhje

SHBA, shkurtimet dhe sektori i udhëtimeve ajrore


Shkurtimet automatike të shpenzimeve qeveritare mund të godasin sektorin e udhëtimeve ajrore prej muajit prill

85 miliardë dollarë shkurtime të shpenzimeve të qeverisë amerikane hynë në fuqi në fillim të këtij muaji. Shkurtimet e mëdha buxhetore automatike kanë goditur pothuajse çdo agjenci të qeverisë federale dhe shumë punonjësve do t’u shkurtohen ditët e punës, duke filluar nga 1 prilli.

Fluturimet në aeroportet amerikane mund të vështirësohen, duke patur vonesa në tokë dhe në ajër.

Problemet mund të fillojnë kur shkurtimet automatike të shpenzimeve qeveritare të godasin sektorin e udhëtimeve ajrore në muajin prill. Sekretari amerikan i Transportit Ray LaHood:

"Kjo është shumë e dhimbshme për ne, sepse ka të bëjë me punonjësit tanë. Por do të jetë shumë e dhimbshme edhe për publikun."

Zyrtarët thonë se shkurtimet e buxhetit do të sjellin pakësimin e punonjësve dhe udhëtarët do të presin më gjatë në rradhët e kontrollit të sigurisë dhe në pikat doganore.

Shkurtimet e shpenzimeve qeveritare do të detyrojnë edhe kontrolluesit e trafikut ajror të punojnë më pak ditë. Pakësimi i punonjësve në kullat e kontrollit do të ndikojë tek operacionet e fluturimit në aeroportet më të ngarkuara të vendit, si në Uashington. Për këtë arsye, zyrtarët parashikojnë vonesa të fluturimeve deri në 90 minuta, në aeroportet e mëdha. Matt Byrd përfaqëson Shoqatën Kombëtare të Kontrolluesve të Trafikut Ajror.

"Duhet të kemi një numër të caktuar punonjësish këtu dhe në qoftë se ata urdhërojnë që shumë njerëz nuk mund të vijnë në punë, ne nuk mund të hapim ato pozicione dhe nuk mund të drejtojmë lëvizjen e po aq avionëve apo të të njëjtës sasi trafiku ajror sa tani."

"Do të kemi pasoja në të gjithë hapësirën ajrore kombëtare."

Marion Blakey është presidente e Shoqatës së Industrive të Hapësirës Ajrore në Uashington. Ajo thotë se shkurtimet do të dëmtojnë edhe industrinë e hapësirës ajrore të Mbrojtjes.

"Vetëm për vitin 2013 dhe 2014 – në qoftë se shkurtimet e mëdha buxhetore lejohen të qëndrojë në fuqi – bëhet fjalë për humbjen e më shumë se dy milionë vendesh pune. Bëhet fjalë për një dëmtim të rritjes së Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar me rreth 0,6 për qind. Është diçka shumë e madhe."

"Çdo gjë që dëmton udhëtimin ajror dëmton ekonominë, në një kohë që kemi nevojë për më shumë helium, për një përshpejtim më të madh në ekonomi."

Senatori i Virxhinias Tim Kaine dhe anëtarë të tjerë të Kongresit kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund shkurtimeve të shpenzimeve. Ligjvënësi nga Merilendi John Sarbanes shqetësohet se pakësimi i trafikut në aeroportin e Baltimorës mund të sjellë humbjen e rreth 94 mijë vendeve pune.

"Do të kemi ulje të aktivitetit ekonomik në aeroport. Ky proces i ngadaltë që do të fillojë të ndodhë, dhe që përkeqësohet me kalimin e kohës, do të ndikojë edhe tek ecuria e bizneseve në këtë zonë.”

Megjithatë, zyrtarët e transportit thonë se shkurtimet e buxhetit për aviacionin civil nuk do të kenë ndikim tek siguria e fluturimeve.

XS
SM
MD
LG