Lidhje

SHBA, vazhdojnë negociatat për buxhetin, borxhin


Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përballen me një paralajmërim të ri ndaj klasifikimit të kreditit të saj, një përpjekje dypartiake nga udhëheqësit demokratë dhe republikanë të Senatit është kthyer në qendër të vëmendjes. Presidenti Barack Obama është në pritje të një zgjidhje të pranueshme për rritjen e tavanit të borxhit dhe rihapjen e qeverisë federale.

Mbrëmë, udhëheqësit demokrat dhe republikan të Senatit, Harry Reid dhe Mitch McConnell, rifilluan përpjekjet për një kompromis dypartiak i cili u shty pas zhvillimeve në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.
Propozimi dypartiak i senatit kërkon financimin e qeverisë federale deri më 15 janar, dhe rritjen e tavanit të borxhit deri më 7 shkurt.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner nuk arriti ta hidhte në votim një propozim të ndryshuar për shkak të presionit nga anëtarët konservatorë të grupit Tea Party.

Në një intervistë me kanalin televiziv WABC në Nju Jork, presidenti Obama hodhi poshtë sugjerimet se ai nuk ka qenë i hapur për kompromis në betejën me republikanët, dhe përsëri hodhi poshtë atë që ai e quajti përpjekje të grupit Tea Party për të përdorur taktika ekstreme.

"Demokratët nuk kanë kërkuar asgjë kur është bërë fjalë për pagimin në kohë të faturave të popullit amerikan. E kemi thënë se do të ketë dallime mes palëve mbi prioritetet e vendit, por nuk duhet t’i shkaktojmë vështirësi popullit amerikan në përpjekje për të parë nëse njëra palë mund të përfitojë më shumë, ose gjithshka."

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se presidenti Obama është i kënaqur me përparimin e negociatave në Senat, duke thënë se përpjekjet në Senat kanë potencial për të zgjidhur këtë "krizë të panevojshme."

"Hapni qeverinë, paguani faturat e Shteteve të Bashkuara duke rritur tavanin e borxhit, dhe realizoni këtë në një mënyrë që të shmanget ri-krijimi i këtyre krizave pas disa javësh."

Propozimi i dështuar i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner do ta financonte qeverinë deri me 15 dhjetor dhe do ta zgjeronte kufirin e borxhit deri në shkurt.

Pas një takimi me presidentin Obama, udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se ajo mbetet optimiste se Kongresi do të miratojë një ligj pa kushte për rritjen e tavanit të borxhit.

"Një ligj pa kushte për rihapjen e qeverisë, një ligj pa kushte për rritjen e tavanit të borxhit, do t’i hapte rrugën negociatave mbi buxhetin ku mund të diskutohen të gjitha çështjet."

Me kalimin e kohës për gjetjen e një zgjidhjeje mbi tavanin e borxhit, dje u shtua një tjetër element urgjence në formën e një paralajmërim nga kompania Fitch, një nga agjencitë më të mëdha të klasifikimit të kreditit.

Kompania Fitch tha se ka vendosur klasifikimin e kreditit të Shtetet të Bashkuara nën vëzhgim gjashtë-mujor, duke iu referuar "ngërçit politik dhe reduktimit të fleksibilitetit financiar " që mund të rrisë rrezikun e pamundësisë së Shteteve të Bashkuara për të shlyer borxhet e saj.

Në vitin 2011, gjatë betejës së fundit politike në Uashington mbi tavanin e borxhit, një agjenci tjetër kreditimi e uli klasifikimin e kreditit të Shteteve të Bashkuara nga AAA në AA.
XS
SM
MD
LG