Lidhje

Tiranë: Pa marrëveshje mbi formularin e dekriminalizimit


Parlamenti shqiptar
Parlamenti shqiptar

Shumica dhe opozita nuk gjetën përsëri mirëkuptimin në këshillin parlamentar të legjislacionit, ku diskutuan mbi aktet nënligjore të ligjit për dekriminalizimin e politikës.

Deputeti socialist Taulant Balla paraqiti dy formularë sa u takon krimeve për të cilat individë të caktuar nuk do të lejohen të kandidojnë për deputetë.

Deputeti i partisë demokratike, Oerd Bylykbashi, mbrojti variantin e opozitës për dekriminalizimin.

Debatet pa mirëkuptim mes socialistëve dhe demokratëve erdhën një ditë para seancës parlamentare të të enjtes, ku ende nuk dihet nëse do të kalojë një projekt-vendim sipas propozimeve të partisë demokratike apo asaj socialiste.

Partia demokratike kërkon një kontroll të gjerë të figurës, që kandidon për detyra shtetërore. Mes të tjerave, formulari i propozuar nga demokratët kërkon të dijë nga kandidatë nëse ata janë arrestuar ndonjëherë nga policia.

Demokratët pohojnë se socialistët duan ta heqin prokurorinë si mekanizëm kontrolli dhe ka futur vetëdeklarimin e zyrtarëve.

Opozita thotë se formulari i propozuar nga socialistët cënon thelbin e ligjit të dekriminalizimit, sepse pyet shkurt nëse kandidati është dënuar apo jo me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Mospajtimet midis palëve po rrezikojnë që ligji i dekriminalizimit të shtyhet deri në kohë dhe të mos hyjnë në zbatim, sepse ndarjet për të janë ende të thella.

XS
SM
MD
LG