Lidhje

Tahiri: Byroja e Hetimit do ngrihet sërish


Ministri i Brendshem reagon pas rrëzimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Ambasada amerikane: “Mbështesim Byronë. Udhëzimet e Gjykatës shumë të rëndësishme për të ndihmuar ligjvënësit shqiptarë që të përshtasin ligjin e tanishëm”

Në Shqipëri ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi sot se Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një institucion që do të ngrihet sërish. Deklarata e tij erdhi pas vendimit të javës së shkuar të Gjykatës Kushtetuese e cila e hodhi poshtë si të “papajtueshme me kushtetutën”. Ministri deklaroi se sugjerimet e Gjykatës do të mbahen parasysh dhe se do të bashkëpunohet ngushtë me FBI-në amerikane. Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i tha Zërit të Amerikës se “opinioni dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë do të jenë shumë të rëndësishme për të ndihmuar ligjvënësit shqiptarë që të përshtasin ligjin e tanishëm dhe për t’u siguruar që do të jetë kushtetues”

Ngritja e Byrosë kombëtare të Hetimit ka qenë një ndër premtimet e shumicës aktuale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Vendimi i Gjykatës kushtetuese, e cila rrëzoi javën e shkuar të gjithë kapitullin për Byronë, në ligjin për Policinë e Shtetit, ishte një surprizë e hidhur për qeverinë. Vendimi erdhi ndërsa ajo kishte kërkuar mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë, dhe kishte nisur ndërkohë kontaktet direkte dhe me FBI-në amerikane për të patur ndihmën e saj për vënien në funksion të kësaj strukture.

Gjykata njoftoi se e kishte konsideruar si “të papajtueshme me Kushtetutën”, ngritjen e Byrosë së Hetimit, ndërsa argumentat për vendimin e saj pritet të bëhen publik në javët në vijim. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha sot se Byroja do të ngrihet duke mbajtur parasysh sugjerimet e Gjykatës: “Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion që do të ngrihet. Ne presim zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, reflektimin e sugjerimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese dhe marrjen e masave, qoftë nëpërmjet amendimit të ligjit, qoftë nëpërmjet akteve nënligjore, për të arritur plotësimin e standardeve kushtetuese dhe ligjore sipas parashikimeve që ka bërë, ose do të zbardhë vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.

Zoti Tahiri deklaroi se ka një angazhim intensiv me FBI-në për ngritjen dhe konsolidimin e cdo hapi apo procedure për Byronë që nga struktura, organizimi, rekrutimi e deri te funksionimi i saj.

E pyetur nga Zëri i Amerikës, pas komenteve të autoriteteve shqiptare, ambasada amerikane përmes një zëdhënësi shpjegoi se sic ka komentuar kohët e fundit edhe ambasadori Donald Lu, ajo “mbështet krijimin e një organi ligjzbatues me kapacitete të avancuara hetimore dhe autoritetin për të hetuar kriminelë apo zyrtarë të korruptuar në nivelet më të larta. Zyrtarë të FBI nga SHBA së fundi ishin në Tiranë për të diskutuar krijimin e një Byroje Kombëtare të Hetimit dhe për të ndarë ekspertizën e tyre për të mbështetur përpjekjet për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Sigurisht, Byroja – shpjegoi zëdhënësi - duhet të përputhet plotësisht me Kushtetutën e Shqipërisë, prandaj opinioni dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë do të jenë shumë të rëndësishme për të ndihmuar ligjvënësit shqiptarë që të përshtasin ligjin e tanishëm dhe për t’u siguruar që do të jetë kushtetues. Do të jetë e rëndësishme që çfarëdo ligji i rishikuar të hartohet në mënyrë tërësore dhe përfshirëse”, përfundoi zëdhënësi.

Mbi vendimin e Gjykatës kushtetuese pati një reagim të fortë edhe kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho: “Padyshim që është një sfidë, është vendimi më i keq që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Nuk e di, nuk dua të bëj dhe aludime për këtë vendim të saj, por është një kundërvënie e hapur në këtë proces të nevojshëm që kërkohet për të luftuar krimin e organizuar. Nuk e di ku fle lepuri. Gjykoj që ka qenë thjesht një vendim teknokrat i dobët”.

Deklarata e zotit Braho sollën reagimin e menjëhershëm të Partisë demokratike. Kryetari grupit parlamentar demokrat Edo Paloka tha se ato janë pjesë e trysnisë së vazhdueshme të shumicës ndaj gjykatave, “pra, nuk është habi që kemi sulmin e radhës. Sa për vendimin, mendoj se është një vendim mjaft i drejtë. Nuk mundet që Rama të vazhdojë me strategjinë e tij për të kthyer Shqipërinë në një vend të ngjashëm me Rusinë e Putinit”, u shpreh zoti Paloka.

Vendimi i gjykatës kushtetuese erdhi pas kërkesës së opozitës sipas së cilës Byroja e Hetimit merrte kompetenca të cilat ligji ja njihte eskluzivisht prokurorisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG