Lidhje

Çështja e vrasjes së vëllezërve Bytyçi


Rasti i vëllezërve Bytyci
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:47 0:00

Fatos Bytyçi, vëllai i tre shqiptarëve me shtetësi amerikane të vrarë 15 vjet më parë në Serbi, ndërsa ishin të ndaluar nga autoritet serbe, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se ka bindje se me vazhdimin e mbështetjes nga qeveria amerikane çështja do të zgjidhet.

Rasti i vëllezërve Bytyci
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:47 0:00

Me rastin e 15 vjetorit të kësaj ngjarjeje, në Southampton të Nju Jorkut zhvillohet sot një ceremoni përkujtimore, ku marrin pjesë të afërm dhe mbështetës të familjes Bytyçi.

Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, siguroi zotin Bytyçi përmes një letre se SHBA-ja vazhdon të bëjë gjithçka të mundur që zyrtarët serbë të mbajnë premtimin e tyre për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi. Në letrën ku ambasadori Kirby i shpreh ngushëllimet në këtë përvjetor zotit Fatos Bytyçi dhe familjes së tij, ai thotë se arritja e drejtësisë për këtë çështje është prioritet i ambasadës amerikane në Serbi.

Rëndësinë e vënies para drejtësisë së personave përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së e thekson dhe ish-ambasadori amerikan në Bosnje dhe Hercegovinë Robert Barry. Ambasadori në pension Barry, i cili shërben vullnetarisht dhe si këshilltar i familjes Bytyçi, tha në një deklaratë se “Qeveria amerikane dëshiron marrëdhënie më të mira me Serbinë, por ka theksuar në mënyrë të përsëritur se mungesa e përparimit në çështjen Bytyçi do të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve.”

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët iu bashkuan luftës në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës, në muajin korrik të vitit 1999 vëllezërit Bytyçi u arrestuan në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i dënoi me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për, siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish-Jugosllavisë.

Katër ditë para përfundimit të kryerjes së dënimit, ata u morën nga burgu dhe u dërguan në Petrovo Selo ku u vranë nga afërsia. Trupat u gjetën në një varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Familja dhe veprimtarët e Fondit Humanitar në Beograd, kanë shprehur bindjen se në këtë vrasje ishin të përfshirë edhe ish zyrtarë të lartë serbë, në mesin e të cilëve ish-komandanti i Njësisë së Posaçme Antiterroriste të Serbisë, Goran Radosavleviç, i njohur me nofkën Guri.

Në tetor të vitit 2013 ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Michael Grimm paraqitën në Kongres një rezolutë me të cilën kërkohet që Beogradi të ndjekë autorët e vrasjes duke nënvizuar se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme të zhvillimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG