Lidhje

Vazhdon puna për shkatërrimin e kampit të emigrantëve në Kale


Në Kale të Francës vazhdon puna për shkatërrimin përfundimtar të kampit të refugjatëve “Xhungla”. Autoritetet e kanë shpallur kampin të braktisur.

Punëtorët përdorën makineri të mëdha për të shkatërruar strehët e përkohshme disa prej të cilave ishin djegur keq nga zjarri që iu vu nga refugjatët të mërkurën, para se ata të detyroheshin të largoheshin.

Prefektja e Kalesë Fabienne Buccio u tha sot gazetarëve se autoritetet lokale nuk do të sistemojnë emigrantë të rinj në kamp.

"Zyra e regjistrimeve të përkohshme është mbyllur. Sot në mëngjes mund të shihnit se kishte njerëz përpara zyrës. Këta nuk janë njerëz që vijnë nga kampi i Kalesë. Ata vijnë nga diku tjetër. Ne nuk synonim ta përdornim këtë zyrë si pikë hyrjeje për të gjithë imigrantët në Francë, prandaj ajo u mbyll. Misioni ynë që ishte të mirëprisnim dhe të strehonim imigrantët, ka përfunduar. Tani duhet të përcjellim mesazhin se kjo nuk është më një pikë hyrëse për çdo imigrant në Francë. Pra kjo zyrë është mbyllur. Këtë po e themi përmes përkthyesve në gjuhë të ndryshme qysh në mëngjes dhe u kemi kërkuar imigrantëve të shpërndahen."

Autoritetet franceze kryen operacione për të pastruar këtë kamp, që ishte kthyer në simbol të krizës së refugjatëve në Evropë.

Autoritetet franceze thanë se rreth 4,000 njerëz nga kampi Kale janë transportuar në qendra pritjeje në mbarë Francën.

Kaleja fitoi famë dy vitet e fundit si një nga kampet më të mëdhenj të refugjatëve në Evropë, kryesisht afganë, sudanezë dhe nga Eritrea që shpresonin të shkonin në Britani, e cila ndodhet në një distancë të shkurtër nga deti.

XS
SM
MD
LG