Lidhje

Kujtohen viktimat e sulmit në Kaliforni


Banorët në Kaliforni po kujtojnë viktimat e sulmit terrorist të javës së kaluar në San Bernardino, ku humbën jetën 14 njerëz dhe u plagosën më shumë se 20 të tjerë. Në qytetin fqinj të Koronës, myslimanët lokalë ftuan fqinjët e tyre për t'u bashkuar me ta në lutje. Ndërkohë sot, në fjalimin e tij të përjavshëm, Presidenti Barack Obama u bëri thirrje amerikanëve që të kundërshtojnë çdo formë të fanatizmit dhe mungesës së tolerancës, duke thënë se “paragjykimet dhe diskriminimi” i vijnë në ndihmë grupit Shteti Islamik dhe “minojnë sigurinë tonë kombëtare”.

Myslimanët, dhe fqinjët e tyre të krishterë dhe hebrenj, u mblodhën në këtë xhami për t'u lutur për viktimat dhe familjet e tyre.

"Sonte jemi mbledhur për të shëruar plagët e sulmit dhe për të kujtuar ata që humbën jetën",- tha një banore.

Syed Rizwan Farook, i lindur në SHBA, dhe gruaja e tij pakistaneze Tashfeen Malik sulmuan me armë një grup punonjësish të qeverisë lokale, të mbledhur në një festë të mërkuren e kaluar, duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur 20 të tjerë. Sulmi tronditi këtë pjesë të Kalifornisë jugore:

"Sulmi tmerroi të gjithë vendin. Nuk ka arsye për vrasje dhe për terrorizëm në botë. Ju e dini se ne jemi të bashkuar kundër terrorizmit".

Ky komunitet është 30-minuta me makinë larg San Bernardinos, por njerëzit edhe këtu janë të tronditur nga sulmi terrorist:

"Ne jemi në një distancë të afërt dhe kjo bëri që të ndjehemi sikur sulmi ndodhi në oborrin tonë" - tha një banor.

Pas lutjes, pjesëmarrësit u ftuan për një darkë në xhami:

"Unë mendoj se kjo është mënyra se si duhet të reagojmë pas gjërave të tmerrshme. Ne jemi mbledhur këtu, për t’u lutur së bashku, për të dëgjuar, mësuar dhe për ngrënë së bashku. Kjo është përgjigja më e mirë”,- tha një prift.

Njerëzit gjithashtu ndanë shqetësimet për sigurinë e tyre, dhe për mundësinë e një reagimi kundër muslimanëve. Ata thanë se të gjithë janë pjesë e një komuniteti, janë prekur dhe po rimëkëmben nga sulmi në San Bernandino. Sot, në fjalimin e tij të përjavshëm, Presidenti Barack Obama u bëri thirrje amerikanëve që të kundërshtojnë çdo formë të fanatizmit dhe mungesës së tolerancës, duke thënë se “paragjykimet dhe diskriminimi” i vijnë në ndihmë grupit Shteti Islamik dhe “minojnë sigurinë tonë kombëtare”. Presidenti tha se të hënën ai do të shkojë në Pentagon dhe në Qendrën Kombëtare të Anti-Terrorizmit për të parë se çfarë është duke u bërë në luftën kundër militantëve islamikë.

XS
SM
MD
LG