Lidhje

Protesta për dorëheqjen e Kryeministrit britanik


Kryeministri britanik David Cameron ndërmori sot hapin e pazakontë të publikimit të deklaratave të tij të taksave për gjashtë vitet e fundit, me shpresën për të qetësuar polemikat rreth llogarive të babait të tij në parajsat fiskale. Megjithatë, dhurata të shtrenjta të dhëna nga e jëma e tij tërhoqën menjëherë vëmendje.

Në përmbledhjen prej tre faqesh rezulton se Mary Cameron i ka bërë atij dy dhurata me vlerë 320 mijë dollarë në vitin 2011, pas vdekjes së të atit, Ian Cameron.

Ditën e djeshme, opozita dhe protestuesit në Britani i bënë thirrje Kryeministrit David Cameron të japë dorëheqjen pasi u zbulua aktiviteti financiar i familjes së tij në skandalin e “Dokumentave të Panamasë”.

Turma e mbledhur dje përpara rezidencës së kryeministrit në Londër thërriste për largimin e zotit Cameron.

Protestues ishin mbledhur edhe përpara godinës ku mbahej një takim i Partisë Konservatore, ku po merrnin pjesë edhe zoti Cameron dhe kryebashkiaku i Londrës Johnson. Policia u detyrua të bllokonte shkallët e hyrjes për të mos lejuar turmën e zemëruar.

Dokumentat e dalë nga firma ligjore panameze Mossack-Fonseca treguan se babai i tij, Ian Cameron, ishte bashkëpronar i kompanisë “Blairmore Holdings”, në Bahamas, ku edhe kryeministri rezulton me pjesën e tij.

“Kam blerë aksione më se të zakonshme në një shoqëri, për të cilat kam paguar taksat. Realisht i kam shitur të gjitha aksionet, kur u bëra Kryeministër. Do të bëj publike të dhënat në formularët e mi të taksave për vite të tëra që kanë kaluar, pasi dua të jem transparent,” tha zoti Cameron.

Skandali i “Dokumentave të Panamasë” u shfaq në një periudhë të vështirë për zotin Cameron, i cili është duke bërë fushatë për qëndrimin e Britanisë brenda Bashkimit Evropian, ndërsa britanikët po shkojnë drejt referendumit për këtë çështje, më datë 23 qershor.

Zoti Cameron është shprehur se përgjegjësia është vetëm e tij, për mënyrën e reagimit kur filloi publikimi i të dhënave dhe premtoi se do të nxjerrë mësime.

Nuk është e qartë nëse kjo lloj pendese do të shuajë thirrjet për dorëheqjen e tij.

XS
SM
MD
LG