Lidhje

Justin Trudeau fiton zgjedhjet në Kanada


Justin Trudeau do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Kanadasë, duke e rikthyer vendin në traditën liberale të shekujve. Ish-djali i kryeministrit të mëparshëm Pierre Trudeau, ai udhëhoqi partinë e tij drejt fitores në zgjedhjet e djeshme federale, duke mundur me një diferencë të konsiderueshme konservatorët e kryeministrit aktual Stephen Harper.

43-vjeçari Justin Trudeau kurorëzoi dje me fitore një fushatë të bazuar mbi thirrjet për një Kanada më të begatë dhe më sociale.

“Miqtë e mi, ju premtoj sonte se do ta udhëheq qeverinë dhe këtë vizion do ta bëj realitet”.

Truedau do të rikthehet në rezidencën e kryeministrit ku kaloi vite të fëmijërisë gjatë kohës që i ati ishte kryeministër i vendit.

Në 2013 ai mori në dorë drejtimin e Partisë Liberale që prej vitesh kishte mbetur në hije pas humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje. Në fillim të fushatës për kryeministër të vendit, shanset e tij dukeshin të papëfillshme. Kundërshtarët e injoruan si një politikan i ri, i papërgatitur për të udhëhequr vendin.

Justin Trudeau, që më parë ka punuar si mësues dhe instruktor sportesh dimërore, u zgjodh anëtar i parlamentit në 2008, dhe u rizgjodh në 2011. Trudeau dallohej si politikan fotogjenik dhe tepër karizmatik që elektrizonte turmat e përkrahësve. Media e krahasonte vazhdimisht me politikanët e familjes Kennedy si dhe me Barak Obamën. Edhe ai vetë është përpjekur që fushatës së tij t’i japë nuanca të fushatës që zhvilloi Obama, me slloganin për ndryshime.

Mesazhi i tij siç duket gjeti jehonë në radhët e votuesve kanadezë, të cilët kanë zgjedhur mbi 180 deputetë liberalë për Parlamentin me 338 vende, ndërsa konservatorët e kryeministrit aktual Stephen Harper morën 104 vende, pasuar nga demokratët me 36 vende.

Platforma e tij elektorale parashikonte rritje taksash për kanadezët më të pasur, rritje shpenzimesh për infrastrukturën për të fuqizuar ekonominë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG