Lidhje

Sulmi në Kanada. Pse u shkaktua?


Militantët në të gjithë botën po i kthehen gjithnjë e më shumë llojit të sulmit “ujku i vetmuar”, si ai që ndodhi ditën e mërkurë në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, dhe të hënën në provincën e Kebekut. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pessin, sulme të tilla kanë përmasa të vogla, por është e vështirë të ndalohen.Duket se personi që shkaktoi panikun në Otavë dhe vrasjen e një roje ceremoniale në përmendoren e luftës të qytetit, është një mbështetës i Shtetit Islamik. Ndërkohë që pasojat ishin të gjera, ky sulm dhe ai në Kebek, ku dy ushtarë u shtypën me makinë nga një person i konvertuar në fenë islame, janë akte krejt të ndryshme nga rrëmbimi i avionëve apo të tjera me përmasa të gjera gjatë dekadave të fundit.

Ky lloj sulmi i përmasave të vogla duket se është një preferencë e re e militantëve, thotë drejtori i Institutit Mbretëror të Londrës, Michael Clarke.

“Po shohim se që nga viti 2006, 2007, po rritet prirja e njerëzve të paushtruar në fushën e terrorizmit, të cilët motivohen të ndërmarrin sulme të vetmuar.”

Kjo e bën më të vështirë që ata të zbulohen dhe të ndalen, krahasuar me një grup të madh që planifikon një konspiracion më të gjerë.

“Mungesa e aftësive të tyre kompensohet nga paparashikueshmëria. Dhe nëse më shumë njerëz do të angazhohen në sulme të llojit ‘ujku vetmitar’, atëherë disa prej tyre do ja dalin.”

Ajo që shqetëson shumë njerëz është se këta persona në Otavë dhe Kebek duket se ishin të njohur për shërbimet e sigurisë.

Kjo do të ngrejë disa pikëpyetje të vështira, thotë nëpërmjet Skype, Trevor Slack i firmës së vlerësimit të riskut ‘Maplecroft’.

“Do të ngrihen pyetje se përse nuk u bë më shumë për t’i ndalur, kur dihej qartazi se autorët po kërkonin t’i bashkoheshin luftës së Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.”

Ekspertët thonë se masa të thjeshta sigurie shpesh evitojnë sulme të tilla amatore.

Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, bëri një deklaratë të ashpër pas sulmit, dhe Trevor Slack thotë se kanadezët do ta mbështesin.

“Mendoj se do të ketë një mbështetje në rritje për të vepruar kundër Shtetit Islamik, dhe ndoshta për politika të brendshme më të ashpra.”

Kështu ka ndodhur në të shkuarën, thotë Michael Clarke, por pa kaluar cakun e ashpërsisë së masave që njerëzit nuk do t’i pranonin.

“Askush prej nesh nuk do të donte të jetonte në një shoqëri në të cilën do të kishte aq shumë mbikqyrje saqë do të kapej kushdo që mund të kishte prirje radikalizmi. Ajo që duhet të sqarojmë është nëse mund të bashkëjetojmë me një nivel të caktuar rreziku? Në Mbretërinë e Bashkuar, publiku po e pranon pak a shumë faktin se këto gjëra do të ndodhin herë pas here.”

Zoti Clarke mendon se është e vështirë që grupe të organizuara apo individë të kryejnë fushata sulmesh të vazhdueshme të cilat do të ndryshojnë politikat e vendeve kryesore perëndimore, ose do të tejkalojnë tolerancën e popullsisë për nivelin e rrezikut me të cilin janë mësuar të jetojnë.

XS
SM
MD
LG