Lidhje

Kandidatët presidencialë dënojnë sulmet e Brukselit


Sulmet në Belgjikë janë dënuar në të gjithë botën. Këtu në Shtetet e Bashkuara, pretendentët kryesorë për president, kanë shprehur solidarizimin me viktimat e sulmeve, por kanë shfaqur pikëpamje të ndryshme lidhur me mënyrat më të mira për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen.

Kandidatja presidenciale dhe ish-Sekretare e Shtetit Hillary Clinton tha dje se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të përmirësojnë bashkëpunimin në fushën e zbulimit dhe t’i kundërvihen propagandës së rrjeteve terroriste:

“Duhet t’i bllokojmë nga interneti. Duhet të mbyllim faqet e tyre elektronike. Duhet të ndërhyjmë për të penguar radikalizimin dhe terrorizmin e ushqyer në vendet tona”.

Zonja Clinton foli gjithashtu për nevojën që të shmanget retorika dhe akte që nënkuptojnë se vendi është në luftë me gjithë rajonin.

“Disa nga kundërshtarët e mi duan të ndërtojnë mure për të na izoluar nga bota. Më thoni, sa të lartë duhet të jenë këto mure për të mos lejuar penetrimin e internetit?”

Komentet u referoheshin thirrjeve të rivalëve republikanë, si Senatori Ted Cruz, i cili reagoi ndaj sulmeve në Bruksel me thirrjet për patrullime të policisë dhe forcave të sigurisë në lagjet myslimane për të parandaluar xhihadizmin:

“Duhet t’i përqëndrojmë përpjekjet në parandalimin e këtyre fenomeneve, të ndalim zhvillimin e xhihadizmit në komunitete të izoluara. Duhet të punojmë me komunitetet myslimane, ashtu siç bashkëpunojmë me komunitetet ku veprojnë bandat kriminale. Por ky nuk është aktivitet kriminal, bëhet fjalë për akte lufte”.

Edhe pretendenti kryesor në kampin republikan, Donald Trump foli dje për sulmet në Belgjikë, duke kujtuar përshtypjet e tij për Brukselin si një qytet dikur i bukur dhe i sigurtë. “Me zemër dhe lutje jam pranë viktimave të tragjedisë së Brukselit,” shkruante zoti Trump në Twitter.

Më herët dje, në një intervistë për televizionin NBC, kandidati Donald Trump krijoi polemika kur u shpreh pro përdorimit të torturave për të nxjerrë informata të vlefshme në raste si sulmet në Belgjikë.

XS
SM
MD
LG