Lidhje

Tiranë: Nis diskutimi i buxhetit


Qeveria shqiptare mbrojti sot në byronë e parlamentit projekt-buxhetin e vitit 2015, duke e quajtur si një buxhet që do të kthejë qëndrueshmërinë ekonomike. Ministri i financave Shkëlqim Cani, tha se qeveria do të vazhdojë të shlyejë borxhet e vjetra, do të ulë deficitin buxhetor, dhe këto janë masa themelore që sjellin siguri për mbarëvajtje ekonomike.

Zoti Cani tha në konferencën e kryetarëve të gupeve parlamentare se qeveria synon të arrijë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ta lërë krizën pas, duke ulur shpenzimet dhe borxhin publik dhe duke rritur të ardhurat. Ai tha se institucioneve financiare ndërkombëtare po japin vlerësime pozitive për kthesën që ka marrë ekonomia shqiptare dhe po e mbashtesin. Ai tha se taksat rriten në 15 për qind, po ashtu edhe taksa e karburanteve, dhe ajo e duhaneve.

Por opozita e priti me kritika në tryezat e saj projekt-buxhetin e ri të shtetit, edhe pse ka bojkotuar parlamentin. Përfaqësues të Partisë demokratike thonë që politikat e deritanishme të qeverisë nuk kanë dhënë fryt, përkundrazi kanë sjellë vështirësi. Deputeti Sherefedin Shehu thotë se qeveria e rriti borxhin publik me 10 për qind, për të shlyer detyrimet e vjetra, por ato nuk po duken. Viti tjetër do të jetë po aq i vështirë në ekonomi, falë politikavë që po ndjek vetë qeveria.

Qarqet e biznesit po e studjojnë me kujdes projekt-buxhetin. Ato e mbështesin uljen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, duke i konsideruar të rrezikshme. Gjergj Buxhuku përfaqësues i Konfindustria-s thotë se biznesi mbështet paketat ndihmëse për bujqësinë dhe pushtetin vendir, si dhe investimet në infrastrukturë. Por ata shohin me shqetësim faktin se qeveria e sheh si rrugë kryesore sigurimin e të ardhurave nga rritja e taksave.

Ekspertët nga qarqet e biznesit pohojnë se politikat fiskale kanë qëllime afatshkurtra për të mbushur arkën e shtetit, por po rrezikojnë forcimin e ekonomisë në projekte afatgjata. Diskutimet për projekt-buxhetin e ri sapo kanë nisur, dhe pritet të zgjatin mbi një muaj. Qeveria është shprehur e gatshme të mbledhë çdo ide dhe propozim nga opozita dhe grupet e interesit, për t'i pasqyruar në projekt-buxhet, duke mbajtur në qendër të vëmendjes rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për masa konservatore dhe normalizim të parametrave makro-ekonomikë.

XS
SM
MD
LG