Lidhje

Ministri Cani sqaron bisedimet me FMN-në


Cani: "FMN vendos për financimin e këstit të radhës me Shqipërinë në fund të tetorit, ndërsa misioni tani erdhi për rishikimin e buxhetit".

Qeveria shqiptare është duke hartuar projekt-buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm në konsultime të afërta me FMN-në, ndërsa vendimi i Fondit për këstin e radhës të financimit për Shqipërinë e merr në muajin tetor. Ministri i financave Shkëlqim Cani deklaroi se buxheti aktual u rishikua me rritje këtë shtator dhe ky ishte objektivi i misionit të FMN-së në vizitën e këtyre ditëve në Tiranë.

Zoti Cani pohoi se Shqipëria do të zbatojë saktë marrëveshjen për buxhetin e 2015, dhe se duhet të merrte miratimin nga FMN edhe për rishikimin e buxhetit aktual. Ai theksoi se bashkëpunimi dhe diskutimet me FMN vazhdojnë normalisht, mbledhja e tyre e radhës është në tetor, por Tirana kishte nevojë për një konsultim në shtator. Ministri Cani pohoi se puna vazhdon normalisht me hartimin e projekt-buxhetit 2015, dhe qeveria po shqyrton çdo detaj me FMN-në brenda objektivave të marrëveshjes së përbashkët.

Partia Demokratike e opozitës hodhi poshtë si të pavërteta dy ditë më parë deklaratat e qeverisë se janë rritur të ardhurat në gjysmën e parë të vitit, dhe se buxheti u rishikua me rritje. Sipas saj, evazioni u rrit dhe ka rënë puna e administratës fiskale, ndërsa Të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim. PD deklaroi madje se doganat dhe tatimet po krijojnë një deficit të madh, ndërsa rritja e taksave nga qeveria Rama solli një mbledhje më të pakët të tyre. Sipas saj, rishikimi i buxhetit u bë për të mbuluar dështimet në ekonomi gjatë 8 muajve.

Debatet mbi treguesit ekonomikë midis qeverisë dhe opozitës kthehen shpesh në qendër të skenës politike, ndërsa palët shkëmbejnë kritika për mosrealizime, derisa institucionet financiare ndërkombëtare bëjnë parashikime dhe ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes.

XS
SM
MD
LG