Lidhje

Tahiri: U reduktuan parcelat me kanabis

  • Armand Mero

Ministri i Brendshëm: Kemi shkatërruar 690 mijë rrënjë. Akuzat për lidhjet e politikës me krimin. Ambasadori amerikan Donald Lu: Shumica dhe opozita e bashkëndajnë këtë problem

Ndërsa opozita ka intensifikuar akuzat e saj ndaj qeverisë dhe vecaërisht ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri e kryeministrit Edi Rama, si përgjegjës për një përhapje të madhe të kultivimit të cannabis sativa-s, sot qeveria organizoi një takim të madh dedikuar rezultateve të luftës kundër këtij fenomeni. Gjatë gjithë muajve të verës, avionë të specializuar italianë, ashtu si dhe në vitet e shkuara, kryen monitorimin nga ajri duke identifikuar parcelat e mbjella, në të cilat ndërhynte më pas policia nga toka.

Duke ju referuar të dhënave të grumbulluara, ministri Tahiri deklaroi se “Në vitin 2013 kur qeveria e kaluar ishte në detyrë, një sipërfaqe 323 hektarë u kultivua me bimë narkotike, këto të identifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanzia. Nga këto policia shkatërroi 7.5% të të gjithë parcelave të fotografuara nga ajri. Sipas këtyre të dhënave, viti 2015, sipërfaqja e kultivuar është 44 hektarë. Të identifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanza-s. Kjo është 8 herë më pak sesa sipërfaqja e mbjellë në vitin 2013. Do të thotë në Shqipëri në vitin 2015 është kultivuar 8 herë më pak drogë sesa në vitin 2013 dhe nga kjo sipërfaqe e kultivuar sot policia ka shkatërruar deri ditën e sotme 99.2% të sipërfaqeve të identifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanza-s”.

Këto të dhëna u konfirmuan edhe nga ambasadori italian Massimo Gaiani, i cili e konsideroi si “të jashtëzakonshëm” bashkëpunimin me policinë shqiptare në këtë operacion. Ai tha se pavarësisht se të dhënat janë vlerësime, “eksperienca e fituar në këto vite na lejon të pohojmë se ka një reduktim të rëndësishëm të sipërfaqeve të kultivuara, dhe kjo kryesisht falë ndërprejes së prodhimit në Lazarat, i cili përfaqësonte në të kaluarën 90 përqind të sipërfaqeve të mbjella”.

Edhe ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh se “lufta kundër drogave dhe krimit të organizuar ka bërë një hap të stërmadh përpara përmes këtij operacioni ajror me Guardia di Finanza-n. Si rezultat i përpjekjeve ne besojmë se kultivimi i përgjithshëm i kanabisit është ulur shumë”, tha ai ndërsa konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Një prokuror federal po ndihmon njësinë antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të rënda. Një agjent i FBI-së pritet të vijë javën e ardhshme për të punuar me policinë shqiptare, ndërsa ekspertët amerikanë po ndihmojnë në hartimin e ligjit për Byronë e Hetimit.

Si fjala e ministrit Tahiri ashtu dhe e kryeministrit Edi Rama ishin më shumë një kundërpërgjigje ndaj sulmeve dhe akuzave të shumta të lëshuara kohët e fundit nga opozita, vecanërisht për trafiqet e drogës apo dhe lidhjeve të tyre direkte, sipas opozitës, me elementë kriminalë.

Ambasadori amerikan Lu nga ana e tij theksoi se “Si shumica ashtu dhe opozita e kanë kritikuar njëra-tjetrën për lidhje me krimin. Më lejoni të them se të dyja palët e bashkëndajnë këtë problem. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të ngrihet mbi hserret e partive politike. Shqipëria ka nevojë që të gjithë udhëheqësit e saj të punojnë së bashku për të luftuar kriminelët, trafikantët e narkotikëve dhe zyrtarët e korruptuar”.

Lidhur me takimin e sotëm nuk vonoi reagimi Partisë Demokratike. “Në përfundim të kësaj paraditeje, kur shqiptarët bëjnë bilancin, panë se mijëra euro nga paratë e taksapaguesve të qytetarëve shqiptarë u çuan dëm për ekrane e fasada, dhe orë të tëra rroga policësh që në vend se të shkonin prapa krimit, iu dhanë liri të pakufi bandave të trafikut për të vazhduar vallen e tyre kriminale, ndërkohë që Edi Rama shkumëzonte dhe djersiste kundër opozitës dhe medias që i ka nxjerrë në shesh të palarat kutërbuese mbi lidhjet e kësaj qeverie me krimin dhe narkotrafikun”, deklaroi kryetari Lulzim Basha, i cili ndërkohë, nënvizoi me forcë nevojën e dekriminalizimit të politikës, duke kujtuar se opozita e ka dorëzuar variantin e saj në parlament.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG