Lidhje

Hollande viziton Republikën e Afrikës Qendrore


Presidenti francez Francois Hollande dje arriti në Republikën e Afrikës Qendrore, vetëm disa orë pasi dy ushtarë francezë u vranë në luftimet me militantë të armatosur.

Ushtarët e vrarë janë viktimat e para të Francës që kur ky vend dërgoi më shumë trupa për të ndihmuar në përpjekjet për t’i dhënë fund paqëndrueshmërisë në vendin afrikan.

Presidenti Hollande udhëtoi me avionë drejtë kryeqytetit, Bangui, nga Afrika e Jugut, ku mori pjesë në një ceremoni përkujtimore të martën për nder të ish presidentit të Afrikës së Jugut dhe ikonës së anti-aparteidit, Nelson Mandela.

Agjencia franceze e lajmeve njofton se Presidenti Hollande bëri homazhe para arkivolëve të dy ushtarëve francezë, menjëherë pas mbërritjes në Bangui.

Zyrtarët francezë të mbrojtjes thonë se persona të armatosur qëlluan për vdekje dy ushtarët, të cilët ishin duke marrë pjesë në një operacion për çarmatosjen e militantëve afër aeroportit në Bangui.

Rreth 1 mijë e 600 trupa franceze janë duke punuar me forcat afrikane si pjesë e një përpjekjeje me mandat të Kombeve të Bashkuara për rivendosjen e sigurisë dhe mbrojtjen e civilëve në Republikën e Afrikës Qendrore.

Ambasadori i Francës në OKB, Gerard Araud, u tha gazetarëve të martën se misioni "do të jetë e vështirë", por Franca nuk do të heq dorë nga ky mision.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG