Lidhje

Korrupsioni në Shqipëri dhe Kosovë


Organizata humanitare Caritas zhvilloi sot një konferencë kombëtare mbi “Drejtësinë Sociale dhe Qytetarinë Aktive”, ku studiues, artistë, gazetarë dhe klerikë të njohur folën me shqetësim për mos-ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri dhe Kosovë.

Ata thanë se kultura e mosndëshkimit po konsolidohet me shpejtësi në Tiranë dhe në Prishtinë prej afro 15 vjetësh. Arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo denoncoi shkeljet e rënda që janë kryer mbi urbanistikën e Shqipërisë, grabitjet e tokave dhe pronave, për të cilat nuk është dënuar askush nga gjykata, ndërkohë që njerëzit godasin njëri-tjetrin me vetëgjyqësi.

Zoti Velo tha se “qindra mijëra ndërtime të paligjshme janë ndërtuar mbi toka buke, duke pushtuar gjithë territorin, ndërsa hapësirat dhe ndërtesat në qytete uzurpohen prej personave me pushtet, të cilët nuk janë pronarët e vërtetë”.

Për një seti rastesh nga Kosova foli zonja Arbana Xharra, kryeredaktore e gazetës “ZERI” të Prishtinës. Ajo thotë se 15 vjet pas luftës ende zhvillohen protesta të studentëve në Prishtinë ndaj një rektori që ka bërë falsifikime, dhe kjo është vetëm një prej shembujve të shumtë të abuzimeve me pushtetin. Zonja Xharra thotë se korrupsioni dhe vjedhja janë bërë normalitet në Kosovë. Normalitet është bërë sipas saj, edhe mos-ndëshkimi i zyrtarëve abuzues ndërkombëtarë dhe vendorë, që kanë këmbyer vendet në pushtet dhe në opozitë, por kanë vepruar njëlloj me pasuritë publike.

“Nga paslufta janë dhënë 1 miliardë euro për energjinë elektrike në Kosovë dhe përsëri ka mugesa me rrymën elektrike. Qindra milionë euro të tjera janë dhënë në fusha të tjera dhe situata është e vështirë: mbi 40 për qind të papunë dhe mbi 20 për qind varfëri ekstreme; të gjithë viktima të korrupsionit të qeverive shqiptare, me implikim edhe të administratës ndërkombëtare”, tha ajo.

Folës të tjerë dhanë plot dëshmi mbi korrupsionin dhe mbi përpjekjet që bën shoqria në Shqipëri dhe Kosovë për drejtësi sociale. Konferenca dha vlerësime mbi zbatimin e drejtësisë sociale dhe theksoi se shqiptarët në të dy anët e kufirit kanë një nevojë të thellë për qytetari aktive, që të nxiten gjykatat për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG