Lidhje

"Heshtja e dyfishtë", një libër për protestat kundër armëve kimike siriane


Gazetari i njohur italian Karlo Bolino sapo ka botuar librin e tij të ri “Heshtja e dyfishtë - e vërteta për armët kimike në Shqipëri”. Libri doli në dritë kur ende nuk është shuar jehona e protestave dhe polemikave mbi lëndët kimike luftarake të Sirisë, që mund të silleshin për t'u shkatërruar në Shqipëri. Autori thotë se “Heshtja e dyfishtë” përmban një hetim të thelluar gazetaresk mbi ngjarjen dhe sjell më shumë se sa një përmbledhje të materialeve publicistike të ditës.


Si gazetar dhe analist me përvojë të gjatë, zoti Bolino ka hetuar më tej dhe ka sjellë në këtë libër dokumenta dhe dëshmi të reja mbi qëndrimet e protagonistëve zyrtarë e jozyrtarë ndaj lëndëve kimike siriane. Bolino është përpjekur të zbulojë çfarë është zhvilluar në prapaskenë, në kohën kur qytetarët po protestonin dhe kur politikanët po heshtnin. Zoti Bolino thotë se përmes fakteve dhe dëshmive të reja është përpjekur të ndriçojë pikëpyetjet rreth armëve kimike siriane: pse ato duhet të vinin në Shqipëri, kush qëndroi pas protestave, pse qeveria dhe opozita heshtën.

“Unë jam i bindur se nuk është vetëm kryeministri i Shqipërisë që ka heshtur në këtë histori. Nuk është vetëm heshtja e kryeministrit. Ka edhe heshtja të tjera. Kam përgjigje pse ka heshtur kryeministri dhe pastaj cili ka qenë qëndrimi i opozitës në prapaskenë. Zyrtarisht opozita ka deklaruar se nuk kishte asnjë iformacion tjetër përveç atyre që kanë dalë në shtyp. Por unë kam elementë për të hipotezuar, që ndoshta edhe opozita edhe presidenti Nishani kishin dijeni edhe para daljes në shtyp të informacionit zyrtar” - thotë zoti Bolino.

Pikërisht nga prapaskena e heshtur, zoti Bolino thotë se mungesa e informimit të publikut solli protestat spontane nga studentët dhe shoqëria civile, të cilët ishin për shumë ditë të paorganizuar, aq sa edhe ata vetë u habitën nga pjesëmarrja e madhe e qytetarëve. Organizatorët u përpoqën të mbanin protestën larg politizimit dhe ajo u përshkallëzua spontanisht deri nga data 14 nëntor, kur ndodhi diçka që ndryshoi rrethanat e protestës.

“Shqipëria thjesht duhet të kishte kurajon për të pranuar nga pikëpamja politike operacionin, i cili teknikisht mbulohej nga ekspertët ndërkombëtarë. Por Tirana kishte caktuar disa kushte dhe këto kushte nuk janë pranuar nga pala tjetër, të paktën sipas formulës që kishte caktuar kryeministri dhe qeveria shqiptare. Kurajo është fakti që ai arriti derisa ta refuzojë. Ndërkohë që situata dhe protestat ishin përshkallëzuar dhe nuk ishte e lehtë për të pranuar në këto rrethana” - thotë zoti Bolino.

Autori thotë se një element i ri dhe i rëndësishëm në libër është letra që presidenti i SHBA, Barak Obama i ka shkruar kryeministrit Rama, e cila është përmendur shpesh, por nuk është thelluar asnjëherë. Për të gjetur përgjigjet rreth ngjarjeve, autori Bolino ka ndjekur gjithë etapat zyrtare dhe jozyrtare të kësaj historie që nisi me negociatat në Nju Jork më 27 shtator dhe që doli në publik me tubime në fund të tetorit.

Jo pak zyrtarë dhe studiues shqiptarë dhe amerikanë janë shorehur se kjo ngjarje do të ketë ndikimin e vet në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Pas këtij studimi të gjatë mbi dokumentat dhe dëshmitë e protagonistëve, gazetari Bolino ka mendimin e vet edhe për pyetjen se sa mund të ndikojë në të ardhmen diplomatike dhe profilin ndërkombëtar të Shqipërisë ky refuzim për të bashkëpunuar në shkatërrimin e armëve kimike siriane. Ai mendon se SHBA dhe BE kanë me Shqipërinë marrëdhënie të ngushta strategjike shumë-vjeçare dhe nuk do të ndikohen nga një episod ky i armëve kimike të Sirisë.

“BE dhe SHBA kanë interesat e tyre gjeo-strategjike për të vazhduar marrëdhëniet e mira me Shqipërinë dhe nuk besoj që një episod, në fund të fundit, të vogël , edhe pse me impkat të madh mbi shoqërinë, mund të ndikojë në marrëdhënie që janë shumëvjeçare” - thotë zoti Bolino.

“Heshtja e dyfishtë” është lloj libri i gazetarisë bashkëkohore, që synon të ndriçojë ngjarje të rëndësishme në një kohë të afërt. Pikërisht për këtë botimi i autorit Karlo Bolino ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, sepse është i pazakonshëm për Shqipërinë, ku shumë ngjarje të mëdha mbeten të pandriçuara për dekada të tëra.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG