Lidhje

Carney: Vrasja e Al-Libit goditje e rëndë kundër Al-Kaidës


Shtëpia e Bardhë tha se vrasja e zëvendës komandandit të Al-Kaidës, nga një sulm amerikan me avion pa pilot në rajonin e Vaziristanit Verior në Pakistan, ka dëmtuar edhe më tej udhëheqjen e organizatës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha dje se shërbimet amerikane të zbulimit kanë konfirmuar vdekjen e Al-Libit, edhe pse ai nuk pranoi të jap hollësi në lidhje me rrethanat e vdekjes së udhëheqësit të Al-Kaidës. Zyrtarët amerikanë të cilët më herët konfirmuan vdekjen e al-Libit thanë se ai u vra në një sulm me avion të telekomanduar në veriperëndim të Pakistanit.

Zëdhënësi Carney tha se al-Libi ka shërbyer në rolin e menaxherit të përgjithshëm të Al-Kaidës dhe ka menaxhuar degët e saj rajonale. Eliminimi e tij, tha zoti Carney, është një tjetër goditje e madhe kundër organizatës terroriste.

“Kjo është hera e dytë në më pak se një vit që vritet zëvendës udhëheqësi i Al-Kaidës, dhe që në prag të vdekjes së Osama bin Ladenit përfaqëson një goditje tjetër të rëndë ndaj udhëheqjes së Al-Kaidës. Kjo është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për shkatërrimin, shpërbërjen dhe mposhtjen e armikut që solli terrorrizëm dhe vdekje në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001, dhe që ka kryer akte terroriste kundër civilëve të pafajshëm në mbarë globin”.

Por duke marrë parasysh se marrdhëniet SHBA-Pakistan kanë arritur në pikën më të ulët për shkak të sulmeve me avion pa pilot, operacionin amerikan të vitit të kaluar në të cilin u vra Osama bin-Laden dhe vrasjen e 24 ushtarëve pakistanezë në një sulm ajror të NATO-s, vrasja e al-Libit ngre pyetje të tjera.

Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani nuk e kanë zgjidhur çështjen e rihapjes së rrugëve në Pakistan për furnizimin e trupave të NATO-s që Pakistani i ka mbyllur vitin e kaluar pas sulmit ajror të NATO-s ndaj një pike kufitare në Pakistan.
Të martën, ministria e jashtme e Pakistanit shprehu “shqetësimet e saj serioze” në lidhje me sulmet e fundit me avion pa pilot, duke përfshirë edhe atë që vrau zëvendës komandantin e Al-Kaidës, al-Libi. Islamabadi i quan ato sulme “të paligjshme” dhe një shkelje të sovranitetit të Pakistanit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney nuk dha hollësi rreth vendit ku u vra al-Libi. Në lidhje me ndikimin që sulmet mund të kenë në përpjekjet për të bindur Pakistanin të rihap rrugët për furnizimin e trupave të NATOs zoti Carne tha:

“Ne kemi marrëdhënie të rëndësishme me Pakistanin dhe po përpiqemi t’i përmirësojmë ato sepse ato janë në interes të sigurisë sonë kombëtare”.

Zoti Carney tha se ai nuk kishte informacione mbi bisedimet me Pakistanin për rihapjen e rrugëve për furnizimin e trupave të NATO-s në Afganistan, por ai shtoi se të dyja palët janë të angazhuara për zgjidhjen e kësaj çështje.
XS
SM
MD
LG