Lidhje

Rekord i ri i prodhimit të automjeteve në botë


Të dhënat kanë ngritur shqetësime tek aktivistët e mjedisit, pasi automjetet cilësohen si një burim kryesor i ndotjes së ajrit

Prodhimi i automjeteve të pasagjerëve në botë arriti këtë vit nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Sipas një studimi nga Instituti "Worldwatch" në Uashington u prodhuan rreth 80 milionë autovetura dhe kamionë të vegjël. Ky rekord i ri i prodhimit të tyre ka ngritur shqetësime tek aktivistët e mjedisit, pasi automjetet cilësohen si një burim i rëndësishëm i ndotjes së ajrit.

Me 80 milionë makina të reja që iu shtuan flotës globale, bota po i afrohet një rekordi tjetër – pranisë së një miliard automjeteve në rrugë. Shumica e tyre kanë motorë me djegie të brendshme me karburant, duke qenë shkak për probleme mjedisore si ndotja e ajrit dhe ngrohja globale.
Michael Renner i Institutit Worldwatch, është autor i raportit mbi prodhimin e automobilëve në mbarë botën.

"Prodhuesi më i madh është Kina, që përjetoi një periudhë të gjatë rritjeje gjatë dekadës së fundit, duke kaluar Gjermaninë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, të cila ishin tre prodhuesit kryesorë."

Sipas studimit, automjetet hibride dhe elektrike përfaqësojnë më pak se dy përqind të prodhimit të përgjithshëm.
Por përfaqësuesit e industrisë së makinave thonë se ata interesohen për mjedisin. Steven Brooks, analist i kompanisë së të dhënave mbi tregun e automobilave Edmunds, thotë se industria po i përgjigjet dëshirës për produkte të gjelbra.

"Ka 43 automjete të ndryshme të cilat do të futen në arenën e tregut botëror, brenda vitit 2015, si ky model Honda CR-Z. Kjo është një makinë hibride elektrike."

Por zoti Renner thotë se nëse nuk krijojmë lëndë djegëse të pastra dhe më të efektshme, si dhe sisteme motorike alternative, makinat elektrike nuk do arrijnë të zgjidhin problemin e mjedisit.

"Nëse nuk ndryshojmë ndjeshëm bazat mbi të cilat janë duke funksionuar sistemet tona elektrike, pra, nëse vazhdojmë të përdorim sasi të mëdha karboni dhe karburantesh fosile për të prodhuar elektricitet, përdorimi i automjeteve elektrike nuk do të japë ndonjë rezultat të madh."

Ekspertë të industrisë thonë se karburanti me hidrogjen dhe materiale të reja eksperimentale, si magnezi i fortë e i lehtë apo përzierjet e karbonit, mund të përmirësojnë shumë efikasitetin e energjisë tek automjetet e ardhshme të pasagjerëve. Por Steven Brooks thotë se në tregun e sotëm të makinave, çmimet e benzinës janë ende përcaktuese për zgjedhjen e automjeteve.

"Autoveturat mesatare janë ende më të shiturat në vend, por, ndërkohë që çmimet e gazit rriten, përdorimi i automjeteve të vogla dhe hibride është në rritje."

Sipas Kombeve të Bashkuara, ndotjet nga transporti rrugor janë burim i më shumë se 20 për qind të gazeve që shkaktojnë efektin serë.
Ekspertët pajtohen se për të pakësuar këtë ndikimi negativ të automjeteve mbi mjedisin dhe mbi shëndetin publik, qeveritë duhet të zhvillojnë sisteme më të mira transporti publik.

XS
SM
MD
LG