Lidhje

Sekretari amerikan i Mbrojtes turne në Azi


Para nisjes për një udhëtim në Azi, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter i bëri thirrje organizatës “Partneriteti Trans-Paqësor” ose TPP prej 12 vendesh anëtare, që të miratojë një marrëveshje të tregtisë së lirë. Kjo është një pjesë e rendësishme e politikës së administratës së presidentit Obama për ribalancimin e përparësive strategjike amerikane drejt rajonit të Azi-Paqësorit. Zoti Carter po ashtu bëri thirrje për marrëdhënie të forta dhe konstruktive mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Duke folur në Universitetin shtetëror të Arizonës, shefi amerikan i mbrojtjes tha se rajoni më i rëndësishëm i të ardhmes për politikën amerikane është rajoni i Azi-Paqësorit, ku deri në vitin 2050 do të jetë përqëndruar gjysma e popullisës së globit, ose ku deri në vitin 2030 do të jetë përqëqndruar më shumë se gjysma e klasës së mesme dhe ku shpenzimet e mbrojtjes janë në rritje. Zoti Carter u tha studentëve se sigurimi i paqes, begatisë dhe përparimit në rajon do të jetë sfida strategjike qendrore e brezit të tyre. Ai i bëri thirrje Kongresit që të miratojë ligjin për nxitjes së tregtisë, në mënyrë që presidentit Obama të arrijë marrëveshje sa më të leverdishme me 11 vendet e tjera anëtare.

“Kjo do t’u kërkonte vendeve të tjera që të përqafonin standartet që kanë Shtetet e Bashkuara, si transparenca qeveritare, ligjet për pasurinë intelektuale, interneti i lirë dhe i hapur, mbrojtja ndaj mjedisit dhe të drejtat e punonjësve. Ligji po ashtu do të ulte pengesat për prodhimet amerikane dhe sherbimet në tregjet në rritje të Azi-Paqësorit.”

Sekretari i Mbrojtjes e quan ligjin e tregëtisë një prej pjesëve më të rendësishme të ribalancimit të politikave amerikane drejt atij rajoni. Ai thotë se miratimi i marrëveshjes është po aq i rendësishëm sa ç’është shtimi i flotës detare me një aeroplanmbajtëse të ri.

Ai paralajmëroi se koha e negocitatave disa-vjeçare po përfundon. Zoti Carter thotë se vendet në rajon po i ndajnë këto tregje në lulëzim me marrëveshje që në disa raste bazohen tek trysnia dhe marrëveshjet speciale, dhe jo tek hapja e tregjeve dhe politikat parimore.

Zoti Carter, i cili do të vizitojë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Komandën Amerikane të Paqësorit në Hauai gjatë ditëve në vazhdim, thotë se Shtetet e Bashkuara po rifreskojnë aleancat e kahershme në rajon ndërsa po përmirësojnë ato me Indinë dhe Azinë Juglindore.

Ai shprehu shqetësime lidhur me buxhetin kinez të mbrojtjes si jo-transparent, me veprimet në hapsirën kibernetike dhe qendrimin detar në detrat e Kinës Lindore dhe Jugore.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk janë aleatë, por ne nuk duhet të jemi armiq. Një marrëdhënie e fortë konstruktive Amerikano-Kineze është jetike për sigurinë globale dhe begatinë. Marrëdhëniet tona do të jenë të ndërlikuara ndërsa ne përpiqemi të konkurrojmë dhe bashkëpunojmë.”

Ai thotë se Uashingtoni kërkon një skenar nga i cili të përfitonin të gjithë, që të sillte dekada të paqeje dhe begatie të forcuara nga një rol i fuqishëm amerikan në të cilin vendet e Azi-Paqësorit vazhdojnë të forcohen dhe begatohen, përfshi Kinën.

Brad Glosserman, drejtor ekzekutiv i Forumit të Paqësorit me qendër në ishujt Havai, thotë se udhëheqësit aziatikë e shikojnë suksesin e traktatit trans-paqësor si thelbësor për angazhimin amerikan në rajon.

“Marrëveshja është strategjike sepse na bashkon dhe na sjell më pranë rajonit. Marrëdhëniet ushtarake i sigurojnë aleatët tanë se një sulm ndaj tyre do të shihet si një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndaj, përmes traktatit dhe sa më pranë të jemi ekonomikisht nga ana tregtare dhe politike, dërgojmë mesazhin tek aleatët dhe kundërshtarët se në fakt ne jemi të bashkuar, ndaj marrëveshja e trans-paqësorit është një pikë e rendësishme strategjike në politikën e jashtëme amerikane.”

Zoti Glosserman thotë se suksesi i marrëveshjes varet nga politika e brendshme amerikane dhe dëshira e ligjvënësve nga të dy anët për t’i dhënë presidentin autoritetin e nxitjes së marrëdhënieve tregtare. Ai thotë se kjo do të luajë një rol të madh në negociatat në vazhdim mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Ligji do t’i mundësonte presidentit që të negocionte marrëveshje tregëtare dhe Kongresi do të luante vetëm rolin e pranimit ose hedhjes poshtë të marrëveshjes pa rinegociuar kushtet e saj.

XS
SM
MD
LG