Lidhje

Carter: Nuk duam konflikt me Rusinë


Sekretari amerikan i mbrojtjes Ash Carter, synon të inkurajojë ministrat e vendeve aleate që të punojnë së bashku për të përballuar kërcënimet me të cilat ndeshet Evropa.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Ash Carter, tha të hënën se nuk ekziston dëshira për t’u rikthyer në Luftën e Ftohtë apo në çfarëdo konflikti me Rusinë.

Ai i bëri këto komente në një forum në Berlin ku u takua edhe me ministren gjermane të mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Të dy ata do të udhëtojnë me vonë të hënën për në Muenster, për t’u takuar me homologët e tyre nga Norvegjia dhe Holanda.

Sekretari Carter tha që ndonëse perëndimi nuk kërkon të armiqësohet me Rusinë, ai do të mbrojë veten nëse është e nevojshme.

“Ne do të mbrojmë aleatët tanë, rendin ligjor ndërkombëtar dhe të ardhmen pozitive që na ofron ai”, tha sekretari amerikan.

Zoti Carter do të udhëtojë të martën për në Estoni për një takim me ministrat e mbrojtjes së Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të gjitha këto vende që dikur ishin nën ndikimin e Moskës dhe Bashkimit Sovjetik.

Bisedimet po mbahen para takimit të NATO-s, të mërkurën dhe të enjten në Bruksel për të diskutuar planet e përbaltjes me Rusinë, pas aneksimit nga ana e saj të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes ushtarake për separatistët në lindje të Ukrainës.

Sekretari Carter synon të paraqesë propozimin amerikan për të dërguar tanke dhe pajisje tjera ushtarake të mjaftueshme për një brigadë që do të mbështeste programet e stërvitjeve në Evropën Lindore. Shefi i mbrojtjes ende nuk e ka miratuar idenë formalisht deh zyrtarët nuk thanë saktësisht se ku do të shkojnë pajisjet, por ka shenja se Polonia që kufizohet me Rusinë mund të jetë një nga destinacionet.

Ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë edhe planet për ta përfshirë aleancën më zyrtarisht në luftën kundër militantëve të shtetit islamik.

XS
SM
MD
LG