Lidhje

Ash Carter: “Vringëllimi i armëve bërthamore nga Rusia” tepër shqetësues


Në Shtutgard të Gjermanisë, sot u zhvillua ceremonia e përurimit të komandantit të ri suprem të NATO-s. Gjenerali i ushtrisë amerikane Curtis Scaparrotti mori komandën e forcave amerikane dhe atyre europiane të NATO-s, duke zëvendësuar gjeneralin Philip Breedlove, i cili po del në pension. Sekretari amerikan i mbrojtjes Ash Carter, i pranishëm në ceremoni, tha se Aleanca do ta vazhdojë fuqizimin gradual të krahut të saj lindor, si një masë sigurie ndaj rrezikut që paraqet Rusia për disa vende të Europës Lindore Në komentet që bëri në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të NATO-s në Shtutgard, Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter premtoi fuqizimin e krahut lindor të aleancës për të përballuar rrezikun që paraqet Rusia.

Zoti Carter e kritikoi Rusinë për agresion në Europë, duke thënë se veçanërisht shqetësuese janë veprimet që ai i cilësoi si “vringëllim armësh bërthamore”.

“Rusia vazhdon të shkelë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë dhe përpiqet në mënyrë aktive t’i frikësojë fqinjët balltikë. Qoftë përmes detit, ajrit, apo kibernetikës, Rusia po sfidon normat ndërkombëtare; më shqetësuese është vringëllimi i armëve bërthamore të Moskës, që ngre pyetje shqetësuese lidhur me përkushtimin e udhëheqësve rusë ndaj stabilitetit strategjik, për respektimin prej tyre të normave kundër përdorimit të armëve bërthamore”, tha zoti Carter.

Zyrtarët amerikanë thonë se synimi i NATO-s në Europë është që të kalohet nga përpjekjet për t’i siguruar aleatët, në zgjerimin e aktiviteteve për të frenuar veprimet agresive të Rusisë.

NATO po shqyrton qarkullimin e katër batalioneve në vendet anëtare të Aleancës nga Europa Lindore, tha Seketari amerikan i Mbrotjes Ash Carter. Këto masa po merren pas një propozimi nga vendet aleate, për t’u mbrojtur nga sjellja agresive e Rusisë. Që pas aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014, shtetet balltike: Estonia, Letonia dhe Lituania, që u pranuan në radhët e Aleancës në vitin 2004, kanë kërkuar një prani më të madhe të NATO-s, nga frika e rrezikut rus.

Komandanti i ri suprem i NATO-s, gjenerali Scaparrotti, tha gjatë një dëshmie në Senat muajin e kaluar se Rusia po manifeston “një qëndrim gjithnjë e më agresiv, që sfidon normat ndërkombëtare, shpesh në shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

XS
SM
MD
LG