Lidhje

Carter: Jam në paqe me çdo gjë që më pret


Ish-Presidenti amerikan Jimmy Carter deklaroi sot se kanceri nga melanoma është përhapur në katër vende në tru dhe se do të fillojë menjëherë trajtimin, duke thënë se është në paqe me çdo gjë që e pret.

Ai tha se është i përgatitur për gjithçka dhe i gatshëm të përballojë një aventurë të re. Ai dukej me humor të mirë dhe bëri shaka ndërsa foli hapur për kancerin në një konferencë për shtyp.

Ish-Presidenti Carter tha se nuk ka pasur shumë dhimbje, por gjithsesi ai do ta lehtësojë barrën e punës në Qendrën Carter dhe se trajtimi mjekësor do të jetë përparësia e tij kryesore.

Ish-presidenti tha se në fillim ai mendonte se kanceri ishte i kufizuar në mëlçi dhe se operacioni që bëri në fillim të këtij muaji e kishte hequr krejtësisht atë. Por në të njëjtën ditë, tha ai, një skanim tregoi se tumori i ishte përhapur në tru

I rrethuar nga miqtë dhe anëtarët e familjes, 90 vjeçari Carter tha se ndjehet në paqe dhe se ka pasur një jetë të mrekullueshme.

“Çdo gjë është në duar të Zotit. Unë jam i përgatitur për çdo gjë që mund të ndodhë,” tha 90-vjeçari Karter.

Zoti Carter tha se kishte marrë telefonata nga dy ish-presidentët Bush, ish-Presidenti Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe Presidenti Obama.

Është hera e parë që një ish-President amerikan flet kaq hapur për sëmundjen e tij por analistët thanë se nuk është befasuese duke pasur parasysh natyrën e zotit Carter.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG