Lidhje

Fidel Castro vdes në moshën 90-vjeçare


Presidenti Raul Castro duke dhënë njoftimin

Presidenti Raul Castro duke dhënë njoftimin

Ish-udhëheqësi komunist i Kubës, Fidel Castro, vdiq në moshën 90-vjeçare. Ndërsa u shprehën ngushëllime nga disa udhëheqës botërorë, kubanët e arratisur në Shtetet e Bashkuara festuan në rrugët e Floridës.

Presidenti aktual i Kubës, Raul Castro, e bëri njoftimin në orët e vona të ditës së djeshme nëpërmjet televizionit shtetëror, duke njoftuar edhe se trupi i të vëllait do të digjej sot në kremator:

“Për miqtë tanë në të gjithë Amerikën dhe botën: Sot më 25 nëntor, 2016, në orën 10:29 të darkës, komandanti i revolucionit kuban, Fidel Castro Ruz, ka vdekur. Trupi i tij do të digjet në kremator. Komisioni për organizimin e funeraleve do të japë informacion të mëtejshëm për homazhet që do t’i bëhen themeluesit të revolucionit kuban. Për fitoren, gjithnjë!”

Reagime të ndryshme pati në mbarë botën. Ndërsa mesazhe ngushëllimi u dhanë ndër të tjerë edhe nga Presidentët e Meksikës, Francës dhe Rusisë, të arratisurit kubanë që ndodhen në SHBA e pritën vdekjen e tij me festime nëpër rrugë. Në qytetin Miami, të Floridës, njerëz të mbështjellë me flamuj të Kubës kërcenin në rrugë, shumë prej tyre duke mos e besuar ende se kishte ardhur dita që patën dëshiruar prej kohësh.

Castro e shndërroi Kubën në vendin e parë komunist të hemisferës perëndimore, pasi udhëhoqi revolucionin kuban që rrëzoi nga pushteti presidentin Fulgencio Batista në vitin 1959. Ashtu si Batista, edhe Castro u bë vetë diktator.

Dhjetëra mijëra njerëz përshëndetën hyrjen e tij në Havana, por mijëra të tjerë u arratisën prej shtetit shtypës policor të diktatorit komunist, duke lënë pas në atdheun e tyre ishullor familjet dhe pronat. Shumë njerëz humbën jetën duke përpjekur të arrinin në Shtetet e Bashkuara.

Castro e qeverisi Kubën si kryeministër në periudhën 1959-1976 dhe më tej si president në vitet 1976-2008. Ai konsiderohej si kampion i socializmit dhe anti-imperializmit.

Castro ishte edhe Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Kubës, nga viti 1961 deri në vitin 2011.

Nën Castron, Kuba u bë një shtet komunist njëpartiak, industria dhe bizneset u shtetëzuan dhe reformat socialiste përfshinë të gjithë shoqërinë. Castro kritikohej për shtypjen e të drejtave të njeriut.

Presidenti amerikan Barack Obama, i shprehu ngushëllimet popullit kubanez me anë të një deklarate dhe tha se do të vazhdojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me atë vend. Duke pasur parasysh se kubanezët kanë qëndrime të përziera për Castron, zoti Obama as nuk e vlerësoi, as nuk e denoncoi atë, por tha se do t'ia linte historisë që të gjykonte rolin e tij.

Edhe presidenti i zgjedhur Donald Trump, nxorri një deklaratë ku e quajti Castron një "diktator brutal" që shtypi popullin e vet për 60 vjet.

Shtetet e Bashkuara rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Kubën më 20 korrik 2015, por vazhdon të ruajnë një embargo tregtare, ekonomike dhe financiare ndaj ishullit komunist.

Presidenti Barack Obama, i cili është presidenti i parë amerikan në detyrë që ka vizituar Kubën që nga periudha e revolucionit, është përpjekur intensivisht të rivendosë marrëdhëniet ekonomike me Kubën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG