Lidhje

Kisha katolike përballë akuzave për mbrojtjen e priftërinjve pedofilë


Akuzat për abuzimin seksual të fëmijëve në duart e priftërinjve kanë njollosur imazhin e Kishës katolike dhe kanë ngritur pikëpyetje për udhëheqjen e Papa Benediktit

Katolikët në mbarë botën përgatiten të festojnë Pashkët, duke kremtuar ringjalljen e Krishtit. Por akuzat për abuzimin seksual të fëmijëve në duart e priftërinjve kanë njollosur imazhin e Kishës katolike dhe kanë ngritur pikëpyetje për udhëheqjen e Papa Benediktit.

Vatikani është zemra e botës katolike. Kisha katolike ka mbi 1 miliard besimtarë në të gjithë botën.

Tani Vatikani po përballet me një valë të re akuzash për abuzime seksuale dhe për komplote të klerikëve për të mbuluar faktet si dhe dyshime për rolin e Papa Benediktit, në kohën kur ai njihej si Kardinali Jozef Racinger.

Peter Isely u abuzua seksualisht nga një prift në moshën 13 vjeçare. Ai krijoi një grup për mbështetjen e viktimave në Shtetet e Bashkuara. Ai ndodhet në Romë për të kërkuar përgjigje:

“Prandaj kemi ardhur, për t’u thënë ‘shikojini këta pjesëtarë të komunitetit tonë. Ata meritojnë një përgjigje prej jush’”.

Ata kërkojnë përgjigje në veçanti lidhur me rolin e Kardinalit Racinger në transferimin e një prifti që abuzoi rreth 200 fëmijë të shurdhër amerikanë në shtetin Uiskonsin 30 vjet më parë.

“Nëse ai nuk na jep përgjigje bindëse lidhur me provat e qarta që ekzistojnë për këto çështje, si do të jetë në gjendje të ndëshkojë njeri apo të ndryshojë situatën”.

Deri tani Papa ka kërkuar falje për abuzimet në Irlandë.

Ndërkaq kanë dalë akuza të reja për abuzime në vende të tjera të Evropës, përfshirë Gjermaninë. Jozef Racinger ishte Kardinal i Mynihut nga viti 1977 deri në 1982.

Ai miratoi transferimin e një prifti pedofil, Peter Huelerman në Dioqezën e Mynihut për terapi psiqike. Nuk është e qartë nëse prifti u lejua të kthehej në kishë dhe të kishte kontakte të tjera me fëmijë.

Vatikani thotë se Kardinali nuk kishte dieni. Prifti jezuit Godehard Bruentrup është profesor filozofie në Kolegjin Jezuit të Mynihut.

“Nuk shoh ndonjë përgjegjësi dirkete të Kardinalit Racinger për rikthimin e Huelermanit në kishë si prift. Ndoshta ka përgjegjësi indirekte pasi ai ishte në krye të Dioqezës”.

Por Papa Benedikt njihet për forcimin e ligjeve kundër abuzimeve seksuale në kishë.

Megjithatë, ka ende pyetje të hapura lidhur me periudhën kur kryesonte Zyrën e Doktrinës. Njerëzit duan të dinë përse Kardinali Racinger nuk ndëshkoi apo përjashtoi nga kisha priftin amerikan Lorenc Murphy.

Francis Rocca, korrespondent në Vatikan për faqen elektronike informative Religion News Service, thotë se beson që Papa është i vetëdijshëm për peshën që kanë këto akuza:

“Parashikoj se do ta trajtojë çështjen gjermane, ashtu siç bëri me atë irlandeze. Po ashtu mendoj se do të reagojë me terma, që në retorikën papale do të jenë një pohim se sjellja e peshkopëve në përgjigje të këtij problemi në vitet 80, kur edhe ai ishte në atë rol, nuk ishte zgjidhja e duhur”.

Megjithatë retorika papale mund të mos mjaftojë për disa.

“Nuk do të mjaftojë, pasi ata duhet të përdorin terma që përshkruajnë aktet e kryera dhe përgjigjen ndaj tyre”.

Vëzhgues si zoti Roka mendojnë se do të ketë zhvillime pozitive:

“Mendoj se do të jetë diçka pozitive pasi do të ketë një ndërgjegjësim për këtë problem edhe përtej kufijve të Amerikës”.

Ka shumë që mendojnë se direktivat e reja nga Vatikani lidhur me akuzat për abuzime do të jenë rezultati i parë.

XS
SM
MD
LG