Lidhje

Katolikët në SHBA


Gati një e treta e katolikëve amerikanë janë hispanikë. Por, një raport i Qendrës Studimore Pew thotë se ata po i largohen katoliçizmit me ritëm të lartë. Në vitin 2010, 67% e hispaniko-amerikanëve u vetëidentifikuan si katolikë, por në vitin 2013 kjo shifër zbriti në 55%. Ndërsa Nju Jorku po përgatitet për vizitën e Papës, një kishë hispanike po ndjek metodat e Papës për t’i ruajtur besimtarët e saj.

Edhe në mbasditet e ditëve të javës, mesha në gjuhën spanjolle në kishën Shën Elizabeta i mbledh besimtarët. Më shumë se gjysma e hispaniko-amerikanëve identifikohen si katolikë. Shumë nga besimtarët e kësaj kishe janë emigrantë të rinj nga vende me shumicë katolike të Amerikës Latine.

Rreth 90% e hispaniko-amerikanëve kanë opinion pozitiv për Papa Françeskun, i cili do të vizitojë edhe këtë qytet. Murgesha Celia Cid thotë se Papa, bir emigrantësh, i kupton nevojat e tyre.

“Ai identifikohet me përpjekjet dhe vuajtjet e shumë kombësive dhe vendeve. Më jep shpresë të madhe që ai po vjen në këtë qytet me përzierje të mëdha popullsie, një qytet që u ndërtua nga emigrantët.”

Por tashmë, gati çereku i hispaniko-amerikanëve nuk janë më katolikë. Disa largohen drejt kishave evangjeliste dhe pentakoste, ndërsa të tjerë thjesht largohen nga Kisha Katolike.

At Ambiorix Rodriguez, një emigrant nga Republika Dominikane, është rritur në komunitetin në Manhatan ku tani predikon. Ai thotë se Papa Françesku e ofron zgjidhjen. Papa i ka këshilluar udhëheqësit shpirtërorë të dalin dhe të krijojnë lidhje përtej kufijve të kishës.

“Ai po i thotë kishës se nuk mund të vazhdojmë më të qëndrojmë vetëm brenda mureve, të vetëizoluar dhe të shqetësuar se kush ka mbetur dhe kush është larguar, por të shtrihemi më tej.”

Largimi i hispanikëve nga kisha bie më shumë në sy tek të rinjtë. Shumë nga ata që janë nën 30 vjeç vetëdeklarohen të palidhur me një grup të caktuar.

Por, natyra e hapur e Papës e rigjallëron besimtarin Alias.

“Për ata që janë larguar sepse nuk i kanë kuptuar, ose u është dukur shumë i komplikuar rituali tradicional, Papa po u thotë se atëherë po vij unë tek ju.”

Alias thotë se përdorimi i mediave sociale nga Papa për t’u lidhur me brezin e ri është një nga mënyrat me të cilat i mban të rinjtë të përfshirë dhe të interesuar.

“Të rinjtë janë e ardhmja. Janë ata që do ta mbajnë gjallë këtë kishë. Pra, thelbi janë të rinjtë. Nëse ata nuk ndikohen, atëherë rrjedhimisht do të humben shumë anëtarë të kishës.”

XS
SM
MD
LG