Lidhje

20 vjetori i ndarjes së Çekosllovakisë


Republika Çeke dhe Sllovakia po përgatiten për të shënimin e 20 vjetorit të ekzistimit të tyre si vende të pavarura. Stefan Bos njofton nga Budapesti për Zërin e Amerikës mbi kuptimin dhe rëndësinë që kishte shpërbërja e ish Çekosllovakisë për dy vendet.

Fishekzjarret ndriçuan qiellin e Bratisllavës, ku kryeministri Vladimir Meciar shpalli pavarësinë e Sllovakisë, pak çaste pas mesnatës së 1 janarit të vitit 1993.

Ceremonia shënoi fundin e Çekosllovakisë, vend i themeluar në vitin 1918 nga hiri i Perandorisë Austro-Hungareze, por i cilësuar si një shtet artificial nga shumë politikanë.

Sllovakia, me pak më shumë se pesë milionë banorë, u shkëput nga ajo që më vonë u bë Republika Çeke, me një popullsi prej më shumë se 10 milionë banorësh.

Ky ishte një hap prapa për Vaclav Havelin, disidentin dhe ish-dramaturgun i cili ishte presidenti i fundit Çekosllovakisë, pas Revolucionit Kadife që më 1989 i dha fund sundimit komunist.

Zoti Havel, i cili udhëhoqi Republikën Çeke për një dekadë, u pendua për marrëveshjen e arritur me ngut në të cilën u përcaktua ndarja e vendit. Por ai u vlerësua ndërkombëtarisht për mbikëqyrjen e ndarjes së dy vendeve, proces i cili nuk u shoqërua me luftëra të përgjakshme në rajonin i cili ishte i pllakosur nga nacionalizmi dhe luftërat.

Në fillim të këtij muaji, fëmijët u mblodhën në kryeqytetin e Çekisë, Pragë për një shërbesë fetare për të shënuar përvjetorin e parë të vdekjes së presidentit Havel. Zërat e tyre kumbonin në Kishën Shën Anne.

Kardinali Dominik Duka, kryepeshkopi i Pragës, kujton se zoti Havel udhëhoqi kombin e tij në kohë të turbullta.

“Njerëz nga mbarë bota kanë ardhur këtu për të treguar respektin e tyre për Vaclav Havelin, i cili luajti një rol vendimtar në historinë moderne të këtij vendi”, tha ai, duke folur pranë një fotografie gjigante të këtij burrë shteti.

Sllovakët fillimisht fajësuan zotin Havel për shkatërrimin e industrisë së armëve, rënia e së cilës filloi pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës, një aleancë ushtarake e ish vendeve komuniste e udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Shumë punëtorë humbën vendet e punës dhe u përfshinë nga varfëria.

Megjithatë, përkrahja për zotin Havel filloi të rritej përsëri në Sllovaki kur vendi u izolua nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të politikave autokratike dhe nacionaliste të kryeministrit Meciar.

Pas humbjes së pushtetit nga zoti Meciar në vitin 1998, Presidenti çek Vaclav Havel filloi t’i jap mbeshtetje anëtarësimit të Sllovakisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Megjithëse nuk e riparoi divorcin mes dy shteteve, zoti Havel arriti t’i përmirësojë lidhjet mes vendit të tij dhe Sllovakisë.

Kjo u qartësua gjatë një takimi të kohëve të fundit mes udhëhqesve të tanishëm të Çekisë dhe Sllovakisë.

"Duke qëndruar pranë homologut të tij sllovak, Presidenti çek Vaclav Klaus tha se ai e ka vizituar Sllovakinë 12 herë gjatë presidencës së tij. Ai tha se, “Kjo tregon se sa të ngushta janë marrëdhëniet mes dy vendeve, pavarësisht nga ndarja e Çekosllovakisë”.

Megjithatë, ende ka dallime mes dy vendeve. Ndërkohë që Sllovakia ka miratuar përdorimin e monedhës euro, Republika Çeke, nën drejtimin e zotit Klaus ka vazhduar të përdorë monedhën e saj koruna.

Presidenti i Sllovakisë Ivan Gasparoviç thotë se ai e kupton ngurrimin Çekisë për t’u bashkuar me 17 vendet e eurozonës.

Ai tha se kriza financiare tregon se eurozona nuk është e përsosur. Por ai shtoi se: “Qëllimi i Sllovakisë dhe vendeve të tjera është shpëtimi i Bashkimit Evropian dhe eurozonës”.

Muajin e ardhshëm, parlamentet çeke dhe sllovake do të takohen në Pragë për të diskutuar 20 vjetët e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe rolin e tyre brenda BE-së dhe NATO-s. Ndërkohë që monedhat e tyre janë të ndryshme, gjuha e tyre është e ngjashme.

Çekët dhe sllovakët duket se janë dakord se divorci i tyre i butë, të paktën në disa raste, tregon se vendet në rajonin e dominuar nga ish Bashkimi Sovjetik mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet historike në mënyrë paqësore.
XS
SM
MD
LG