Lidhje

Transplantimi i qelizave ndihmon të paralizuarin të ecë


Një ekip ndërkombëtar studiuesish po e quan një “arritje të madhe” suksesin e një procedure për transplantimin e qelizave që ndihmoi një burrë të paralizuar të ecte përsëri. Ata thonë se procedura u krijon mundësinë njerëzve të tjerë me sisteme nervore të dëmtuara që nuk ecin dot për shkak të problemeve në shtyllën kurrizore, apo për shkak të goditjeve në kokë.

Një burrë nga Bullgaria, i paralizuar nga kraharori e poshtë, ka rifituar ndjeshmërinë në këmbë dhe është në gjendje të ecë duke u mbajtur në shufra paralele dhe me ndihmën e kllapave prej hekuri në këmbë, pasi iu transplantuan qeliza nga hunda në shtyllën kurrizore. Sipas njoftimeve ai mundet gjithashtu edhe t’i japë makinës. Eskpertët thonë se ish-zjarrfikësi ka rifituar një farë ndjeshmërie në fshikëzën e urinës, si edhe disa funksione seksuale.

Pacienti u paralizua pasi u sulmua dhe u godit disa herë me thikë në vitin 2010. Qeliza të specializuara që aktivizojnë nervat në sistemin e nuhatjes në hundë, iu transplantuan pasi u kultivuan në laborator.

Rrth 100 injeksione u bënë në pjesën e dëmtuar të shtyllës kurrizore që studiuesit e lidhën me inde nervore në një hapësirë prej tetë milimetrash.

Kreu i kërkimeve, Geoffrey Raisman i Institutit të Neurologjisë në Kolegjin e Universitetit të Londrës, thotë se procedura i hap rrugën transplantimeve neurale për të kuruar pacientët që nuk ecin dot për shkak të paralizave ose dëmtimeve të tjera neurologjike. Rreth 3 milion vetë në botë janë të detyruar të përdorin karrige me rrota.

Simone di Giovanni, që nuk mori pjse në këtë studim, është kreu i Neuroshkencës Restorative në Kolegjin Imperial në Londër. Ai thotë se në parim, strategjia e transplantimit është premtuese.

“Por ajo që është e paqartë është sesa efektive mund të jetë kjo strategji për një rikuperim funksional, qoftë edhe tek kafshët në studime paraklinike. Prandaj kjo përbën një sfidë të mëtejshme për interepretimin e këtij rasti të vetëm.”

Di Giovanni thotë se ka 30 vjet që eksperimentohet me kafshët dhe rezultatet janë të përziera. Ekspertët thonë se qelizat nervore në shtyllën kurrizore, nuk rigjenerohen. Megjithatë indet e nuhatjes janë një burim u pasur qelizash nervore që mund të riprodhohen në epruvetë.

Di Giovanni vazhdon të jetë i përmbajtur përsa i takon këtyre rezultateve, që u bënë publike nga studiuesit britanikë dhe polakë në revistën Cell Transplantation, Transplantimi i Qelizave.

“Mendoj se është një artikull interesant dhe premtues. Megjithatë mbështetet tek një rast dhe si i tillë, është shumë e vështirë që të nxjerrësh përfundime”.

Studiuesit nuk duan t’u japin shpresa të rreme miliona njerëzve të paralizuar në gjithë botën. Ata thonë se deri tani, rezultatet janë modeste dhe po përgatiten prova klinike me 10 pacientë të tjerë, përfshirë një procedurë që ata besojnë se mund ta shërojë paralizën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG