Lidhje

Qeliza diellore me lëndë organike


Një grup shkencëtarësh në Universitetin e Harvardit është në kërkim të qelizave diellore organike

Qelizat diellore janë ende një investim relativisht i shtrenjtë për konsumatorët e zakonshëm të energjisë elektrike. Por një grup shkencëtarësh në Universitetin e Harvardit është në kërkim të qelizave diellore organike që do të ishin më të lira sepse ato thjesht do të mund të pikturoheshin në çati ose në fasadat e ndërtesave. Në studimet e tyre ata po ndihmohen nga mijëra vullnetarë në mbarë botën.


Shumica e qelizave diellore sot janë me bazë silici dhe prodhimi i tyre kërkon makineri të sofistikuara dhe ekspertizë. Një shtëpi mesatare në Shtetet e Bashkuara përdor 20 deri 24 kilovat orë energji elektrike në ditë. Blerja dhe instalimi i paneleve diellore që mund të prodhojnë kaq energji kushton deri në 20 mijë dollarë. Në vështrimin afatgjatë, ky është një investim i mirë, por shumë njerëz nuk e përballojnë dot.


Megjithatë, një grup studiuesish të Projektit për Energjinë e Pastër në Harvard janë në kërkim të komponentëve më të lirë me bazë karboni që mund të sjellin ulje të ndjeshme të çmimeve. Drejtuesi i projektit, Alan Aspuru i tha Zërit të Amerikës se një qelizë diellore me bazë karboni duhet të jetë rreth 10 për qind efikase për të sjellë ndryshim të ndjeshëm në çmim.

"Kjo në thelb do të thotë që 10 për qind e rrezeve të diellit që bien në qelizë kthehen në energji. Njihen tre, katër, ose ndoshta pesë molekula që kanë një efikasitet të tillë. Dhe kjo është zbuluar gjatë një ose dy viteve të fundit."


Zoti Aspuru thotë se qelizat diellore me bazë silici që përdoren më shumë sot, nuk kanë një efikasitet shumë të lartë, vetëm 15 për qind. Ekzistojnë qeliza diellore më efikase, por ato përdoren kryesisht në satelitë, për shkak të kostos së lartë. Por qelizat diellore me bazë karboni dhe me çmim të lirë, mund të mbulojnë sipërfaqe të mëdha duke kompensuar efikasitetin e tyre të ulët.


Hulumtuesit kanë identifikuar tashmë 2.3 milion komponime me bazë karboni nga të cilat 35,000 mund të kenë një efikasitet mbi 10 për qind.


"Kjo nuk do të thotë domosdo që të gjitha këto molekula janë mbi 10 për qind efikase. Që një qelizë diellore të ketë një efikasitet të tillë, kërkohet që rreth saj të bëhen shumë studime."

Zoti Aspuru thotë se analiza e mëtejshme e këtyre komponimeve kërkon fuqi të madhe kompjuterike.

Këtë, thotë ai, grupi po e realizon duke mobilizuar vullnetarë nga e gjithë bota, të cilët dhurojnë kohën dhe kompjuterat e tyre për krijimin e një "superkompjuteri virtual".


"Në rastin tim, në partneritet me projektin IBM për Rrjetin e Komunitetit Botëror, qindra mijëra njerëz që janë të regjistruar në bazën e të dhënave të IBM-së bëjnë llogaritje kompjuterike për shumë projekte, duke përfshirë edhe tonin."


Kërkuesit shpresojnë se rezultatet e tyre do të çojnë në një numër zbulimesh dhe në bazë të tyre, laboratorë të ndryshëm në mbarë botën do të jenë në gjendje të krijojnë materiale të reja.

Rezultatet e deritanishme janë inkurajuese. Projekti i Energjisë së Pastër ka zbuluar tashmë një gjysmëpërçues organik të fuqishëm, të quajtur DA2T, gjysmëpërçuesi i dytë më i mirë që njeh literatura shkencore.

XS
SM
MD
LG