Lidhje

Përdorimi i Celularëve Gjatë Koncerteve


Admiruesit e muzikës janë të gatshëm t’u tregojnë miqve të tyre grupet që ata shkojnë të shohin në koncerte. Dhe kjo përfshin fotografitë dhe videot e bëra gjatë këtyre koncerteve, dhe të vendosurit e tyre në YouTube, Facebook, dhe faqe të tjera interneti. Por jo të gjithë janë të lumtur rreth kësaj.

Telefonat inteligjentë po e prishin eksperiencën e të shkuarit në koncerte. Kështu thotë Andy Greene, një redaktor i revistës Rolling Stone. Ndodhi disa vite më parë, në një koncert të këngëtarit dhe kompozitorit Leonard Cohen, kur ai kuptoi se çfarë problemi ishin këto celularë.

“Unë isha në rreshtin e parë të vendeve në ballkon. Dhe vështrova poshtë dhe dukej sikur po shihje yjet. Gati çdo vend ndriçohej nga një dritë e vogël e ekraneve të telefonave. Dhe në atë moment desha të bërtisja: ‘a e kuptoni që jeni duke parë një nga kompozitorët më të mëdhenj? Dhe është një dhuratë e veçantë që po e përjetojmë të gjithë, por ju nuk po e shihni. Jeni të gjithë nëpër telefona!’ Dhe më inatosi shumë, sidomos meqë po bëhet një problem më i madh me kalimin e kohës.”

Në koncertet e muzikës pop, admiruesit shtyhen në rreshtin e parë për të marrë foto të turbullta dhe video të shfaqjeve të tyre të preferuara. Dhe zoti Greene nuk është i vetmi që po ankohet. Duke shkruajtur për blogun Village Voice, Maura Johnston rendit “gjashtë arsye pse telefoni juaj po ju prish eksperiencën në koncerte (juve dhe të tjerëve).” Ndër arsyet e saj? Ajo thotë se njerëzit nuk po dëgjojnë muzikën dhe nuk përfshihen në eksperiencën e koncertit për shkak të telefonave. Shumë grupe muzikore janë të pakënaqur rreth përdorimit të telefonave për të bërë fotografi ose rregjistruar video.

Edhe në fushën e muzikës klasike, nxirren celularët gjatë një koncerti. Pianisti klasik, Krystian Zimerman, kohët e fundit ndaloi gjatë një shfaqjeje dhe u largua nga skena kur pa se dikush po e filmonte.

Patjetër që shumë muzikantë e mirëpresin përdorimin e telefonave inteligjentë, si mënyrë marketingu për shfaqjet e tyre – sidomos artistët në fillim të karrierës së tyre, sipas zotit Mark Katz, autor i librit “Capturing Sound: How Technology Has Changed Music.”

“Dikush rregjistron një shfaqje që ishte vërtetë e mahnitshme dhe e vendos në YouTube dhe pastaj videoja fillon të tërheqë vëmendje. Kjo mund të ndihmojë artistë të cilët nuk mund të ketë ndonjë mënyrë tjetër për të arritur një numër të madh njerëzish.”

Edhe grupet e famshme janë të gatshme për të përdorur revolucionin e telefonave inteligjente si një mënyrë për të fituar më shumë para në shfaqjet e tyre, duke u bërë pjesë e aktivitetit të admiruesve të tyre në mediat sociale. Zonja Evie Nagy shkruan në lidhje me teknologjinë për revistën Billboard.

“Nëse ju keni një lidhje me një faqe ku ju doni për të shitur prodhimet, dhe integrohet direkt në faqen Twitter, ju mund ta vini atë në faqet përkatëse dhe mund ta bleni direkt nga postimi nga Twitter- i ose facebook.”

Por, zoti Andy Greene i revistës Rolling Stone thotë se kjo thjesht nuk ia vlen, sidomos për audiencën.

Ju bëni fotografi të turbullta. Rregjistroni video me cilësi të dobët me telefonat, që ju kurrë nuk do t’i shihni. Duke bërë këtë, ju shkëpusni veten nga koncerti dhe hutoni ata rreth jush. Celularët nuk janë asgjë më shumë se sa një pengesë.
XS
SM
MD
LG