Lidhje

CENSUS: Pakësohen banorët, shtohen banesat

  • Ilirian Agolli

Nga studimi ka dalë që ndërsa numri i banorëve është ulur me 8 për qind, numri i banesave është rritur me 16 për qind.

Instituti i Statistikave publikoi sot rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullisë dhe banesave në Shqipëri, CENSUS, sipas të cilave numri aktual i banorëve është 2 milionë 822 mijë vetë, ose një rënie prej 8 për qind, krahasuar me një dekadë më parë.

Sipas analizave shkencore, shkaqet e kësaj rënie të popullsisë janë emigracioni dhe lindshmëria më e ulët. Për herë të parë në historinë e regjistrimeve në Shqipëri, numri i banorëve në qytet e ka tejkaluar banorët e fshatit. Aktualisht, në qytet jetojnë 53, 5 për qind e popullatës, ndërsa në fshat 46,5 për qind e tyre.

Statistikat gjinore dhe familjare shënojnë po ashtu ndryshime të rëndësishme. Numri i femrave ka rënë me 9 për qind, numri i meshkujve ka rënë me 8 për qind, numri i familjeve ka rënë me afro 5 mijë familje, dhe numri i antarëve në çdo familje ka zbritur në më pak se 4 persona.

Regjistrimi nxorri se numri i njerëzve ka rënë, por numri i shtëpive po shtohet me shpejtësi, edhe pse shumë prej tyre mbeten bosh. Nga studimi ka dalë që ndërsa numri i banorëve është ulur me 8 për qind, numri i banesave është rritur me 16 për qind. Shqipëria ka aktualisht 1 milionë e 12 mijë e 400 banesa, nga të cilat 30 për qind janë të pabanuara, kundrejt 11 për qind të shtëpive pa banorë në fillim të këtij shekulli. Bashkë me numrin e banesave janë përmirësuar edhe kushtet e jetesës me pajisje moderne afatgjata.



Ndërkaq 99 për qind e popullsisë pohojnë se kanë shqipen si gjuhë amtare, 0,5 për qind gjuha greke, 0,1 për qind gjuha maqedonase, po aq edhe gjuhët rome dhe arumune. Përkatësia fetare e popullatës, sipas vetëdeklarimeve, është 57 për qind muslimanë, 10 për qind katolikë, 7 për qind ortodoksë, 2 për qind, bektashinj, dhe 2,5 për qind ateistë.

Sa i takon arsimimit, mbi 96 për qind e popullsisë mbi 10 vjeç pohojnë se kanë ndjekur ose po ndjekin shkollën. Ndërkohë është dyfishuar numri i studentëve në universitete. Aktualisht ndjekin studimet e larta 10,7 për qind e popullsisë, ndërsa në 2001 ishin vetëm 5,5 për qind e tyre.
XS
SM
MD
LG