Lidhje

Censusi në Maqedoni dhe problemet etnike


Censusi në Maqedoni dhe problemet etnike
Censusi në Maqedoni dhe problemet etnike

Kudo në rajonin e Ballkanit, vendet të cilave u është ofruar anëtarësim në Bashkimin Evropian, po bëjnë numërimin e popullsisë, proces që në vende të tjera është thjesht çështje matematikore, e që ka të bëjë me saktësimin e të dhënave, planet e shpenzimeve qeveritare apo të drejtat e pakicave. Por në Ballkan është ndryshe. Censusi atje ka hapur plagë të vjetra dhe ka nxitur polemika. Javën e kaluar, për shembull, Maqedonia e anuloi censusin për shkak të mosmarrëveshjeve se kush duhet apo nuk duhet të numërohet.

Parlamenti i Maqedonisë vendosi anulimin e censusit më 15 tetor, pas përpjekjeve që thuhet se po bëheshin për të rritur artificialisht numrin e shqiptarëve dhe të pakicës turke duke paraqitur identifikime të rreme. Numërimi në Maqedoni u komplikua edhe nga interpretimet e ndryshme të një neni të ligjit në lidhje me qytetarët që kanë jetuar jashtë vendit për më shumë se një vit.

Ligji thotë se këta qytetarë nuk duhet të llogariten. Anëtarët shqiptarë të komisionit, si dhe përfaqësues të grupeve të vogla etnike thonë se njerëzit, që kanë jetuar në Maqedoni të paktën një herë duhet të llogariten, pavarësisht se ata tani jetojnë jashtë.

Shqiptarët, që zyrtarisht përbëjnë 25 për qind të popullsisë, por thonë se janë më shumë, u ankuan se autoritetet po i shtrembërojnë rregullat për të pakësuar numrin e tyre.

Parregullsitë çuan në dorëheqjen e komisionit të regjistrimit.

Slobodanka Gievska, kryetare e komisionit shtetëror të regjistrimit

"Censusi u ndal pasi ne kuptuam se metoda e regjistrimit po zbatohej në mënyra të ndryshme nga pjestarët e ndryshëm. Pra, ne kuptuam se rezultatet mund të ishim të ndryshme nga gjendja reale në të gjithë Maqedoninë, prandaj vendosëm se zgjidhja më e mirë do të ishte të ndalej regjistrimi," thotë Slobodanka Gievska, kryetare e komisionit shtetëror të regjistrimit.

Në Maqedoni, shifrat e regjistrimit ndikojnë drejtpërdrejt në balancën delikate që lidhet me ndarjen e pushtetit që nga viti 2001, kur vendi arriti të shmangë luftën civile pas konfliktit mes forcave qeveritare dhe luftëtarëve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta.

Artan Grubi, përfaqësues i partisë, Bashkimi Demokratik për Integrim

"Shifrat janë shumë të rëndësishme për komunitetet në Maqedoni. Ato janë një kategori kushtetuese, rregullohen nga e ashtuquajtura "Marrëveshje e Ohrit ", e cila u mbështet nga BE-ja dhe SHBA. Komunitetet më të mëdha se 20 për qind, zyrtarisht kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe simboleve të tyre zyrtare, si dhe për të pasur përfaqësues në administratën shtetërore. Kjo është arsyeja përse regjistrimi ishte aq i politizuar," thotë Artan Grubi, përfaqësuesi i partisë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Por përparimi në marrëdhëniet ndëretnike nuk ka qenë i njëtrajtshëm. Vendi është ende i varfër, i paqëndrueshëm dhe është penguar në përparimin drejt NATO-s dhe BE-së nga një mosmarrëveshje 20-vjeçare me Greqinë rreth emrit të Maqedonisë.

Pushteti është i ndarë mes Kryeministrit Nikola Gruevski, i partisë maqedonase të qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe zotit Ali Ahmeti, kryetar i partisë shqiptare "Bashkimi Demokratik për Integrim."

Branko Geroski, gazetar i pavarur maqedonas
"Gruevski nuk mund të lejojë që nga ky regjistrim të dalë një numër më i madh shqiptarësh se sa dhjetë vjet më parë. Nga ana e tij, Ahmeti nuk mund të lejojë që shqiptarët të rezultojnë më pak në numërim,” thotë Branko Geroski, gazetar i pavarur maqedonas.

Për regjistrimin nuk është caktuar ndonjë datë e re.

XS
SM
MD
LG