Lidhje

SHBA: Masa të reja për të stimuluar ekonominë


Banka qendrore amerikane ndërmori sot masa të reja për të stimuluar ekonominë e dobët të vendit.

Rezerva Federale njoftoi se do të blejë letra me vlerë me kolateral pronash të patundshme në masën 40 miliard dollarë në muaj, në përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike dhe tregun e dobët të punës.

Banka tha se të paktën deri në fund të këtij viti ka në plan të vazhdojë të riinvestojë të ardhurat që vjel përmes aseteve të tjera në pronësi të saj. Të gjitha këto fonde do t’i rrisnin asetet afatgjata të Rezervës Federale në masën 85 miliard dollarë në muaj deri në fund të vitit 2012.

Rezerva Federale nuk vuri kufij kohorë për blerjet e reja të letrave me vlerë, por tha se nëse tregu i punës nuk përmirësohet ndjeshëm, banka qendrore do të blejë më tepër letra me vlerë të mbështetura nga asete të patundshme.

Muajin e kaluar, zoti Bernanke e quajti “shqetësim të madh” ritmin e ngadaltë të punësimit në Shtetet e Bashkuara.

Që nga kriza financiare botërore e vitit 2008, Rezerva Federale ka blerë bono thesari me një vlerë prej më shumë se 2 trilion dollarë por rritja ekonomike e vendit vazhdon të jetë e ngadaltë.

Banka qëndrore është politikisht asnjanëse, por çfarëdo masash të reja që ajo ndërmerr mund të bëhen objekt debati në fushatën presidenciale që është në fazat e fundit.
XS
SM
MD
LG