Lidhje

Centralet bërthamore në kërkim të zgjidhjes për magazinimin e mbetjeve bërthamore


Centralet bërthamore në kërkim të zgjidhjes për magazinimin e mbetjeve bërthamore
Centralet bërthamore në kërkim të zgjidhjes për magazinimin e mbetjeve bërthamore

Centralet bërthamorë janë të pastër, efiçient dhe të qetë. Por ato përballen me çështje të ndërlikuara sigurie. Ka rrezik nga rrjedhja radioaktive. Ato janë të pambrojtura nga sulmet terroriste. Dhe çështja më shqetësuese mbi të gjitha është prodhimi i sasive të mëdha të mbetjeve radioaktive në formën e karburantit të djegur të uraniumit, i cili mbetet rrezik për mijëra dhe ndoshta miliona vite. Si dhe ku magazinohen të sigurta këto mbetje është çështja kryesore e debatit shumë vjeçar mbi energjinë bërthamore.

Dështimi katastrofik i uzinës bërthamore Daichi të Fukushimës në Japoni, pas tërmetit dhe cunamit të 11 marsit, ka vënë në qendër të vëmendjes rrezikun nga prodhimi i energjisë elektrike në reaktorët bërthamor. Kjo gjithashtu ka kthyer vëmendjen tek rreziku i magazinimit të shufrave me radioaktivitet të lartë në magazina të përkohshme pranë reaktorëve. Gjatë gjashtë dekadave të fundit, në botë janë ndërtuar rreth 400 centrale bërthamorë, dhe asnjëri prej tyre nuk ka një plan afatgjatë të magazinimit për këto mbetje vdekjeprurëse.

Linda Gunter është specialiste ndërkombëtare e grupit ambjentalist me seli në Uashington, Beyond Nuclear.

“Problemi i mbetjeve bërthamore nuk është zgjidhur asnjëherë dhe ekziston një mundësi e madhe që ai të mos zgjidhet. Si rezultat, ne i referohemi kësaj si thundra e Akilit për industrinë bërthamore”.

Në mbarë botën, mbetjet bërthamore magazinohen afër reaktorëve ose nëpër pishina të thella të betonit të mbushura me ujë, ose në struktura të mbyllura prej betoni dhe çeliku, paksa jashtë ndërtesave të reaktorëve.

“Në rastin e Fukushimës, reaktori i tipit Mark One është ndërtuar nga kompania GE, e cila ka ndërtuar 23 reaktorë të tillë në Shtetet e Bashkuara. Pishinat me karburant bërthamor janë të vendosura mbi çatinë e ndërtesës, të pambrojtura nga sulmet ose çarjet. Nëse ndodh një aksident që do të hapte pishinat, materiali i magazinuar do të çlirohej në mjedis. Kjo është një sasi e madhe radioaktiviteti”.

Ekspertët e industrisë bërthamore thonë se rrëziku i mbetjeve bërthamore të magazinuara pranë reaktorëve është egzagjeruar nga kritikët. Instituti i Energjisë Bërthamore është përkrahës i fuqishëm politik i industrisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara.

Adrian Heymer është drejtor ekzekutiv i programit strategjik të kësaj organizate.

“Komisioni i kontrollit të çështjeve bërthamore ka përllogaritur se magazinimi i mbetjeve bërthamore pranë reaktorëve është i sigurtë edhe për 100 vjet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për magazinim në pishina apo në struktura të mbyllura prej betoni dhe çeliku”.

Kjo është një strukturë betoni për magazinimin e mbetjeve bërthamore në uzinën bërthamore të San Onofres në Kaliforninë jugore. Brenda murit të trashë të betonit ndodhet një sasi e madhe mbetjesh me radioaktivitet të lartë, në një distancë të shkurtë nga reaktorët. Aty ndodhet vetëm një fraksion i 70 mijë tonëve që, sipas zyrës përgjegjëse të qeverisë amerikane, centralet bërthamorë në Shtetet e Bashkuara kanë prodhuar gjatë 60 vjetëve të fundit.

Adrian Heymer thotë se për shkak të ngjarjeve të fundit në centralin e Fukushimës, është shtuar interesimi në Shtetet e Bashkuara për lëvizjen e mbetjeve bërthamore në 104 reaktorët në funksion në 67 zona të caktuara në gjithë vendin, nga pishinat e mbushura me ujë, në struktura betoni dhe pastaj në magazina të përkohëshme larg reaktorëve bërthamor.

“Mendoj se pas ngjarrjeve në Japoni, është me rëndësi që të fillojmë sa më shpejtë punën për magazinimin e përkohshëm për të transportuar karburantin bërthamor në zona më të sigurta në vend që t’i përhapim ato në 67 zonat e caktuara”.

Në vitin 2002, Shtetet e Bashkuara ishin pranë zgjidhjes së përhershme të problemit të mbetjeve bërthamore. Kongresi miratoi projektin Yucca Mountain, për ndërtimin e një sistemi nëntokësor për hedhjen e mbeturinave bërthamore rreth 160 kilometra larg Las Vegasit në shtetin e Nevadës. Projekti shkaktoi shumë debate që në fillim. Kritikët thoshin se transportimi i mbetjeve bërthamore në Malin Yucca përbënte rrezik të madh. Në fillim të viti 2009, pas shpenzimit të disa miliarda dollarëve për ndërtimin e këtij sistemi nëntokësor, presidenti Obama dha urdhër për ndalimin e tij.

E ardhmja e projetkit për mbeturinat bërthamore në Malin Yucca mbetet e paqartë.

Adrian Heymer i Institutit të Energjisë Bërthamore beson se ky projekt është ende një alternativë e mirë dhe përpjekjet për mbylljen e projektit, sipas tij, janë çështje politike e jo teknike.

Por deri sa të ndërtohen sisteme të tilla magazinimi, 400 reaktorët e botës do të vazhdojnë t’i magazinojnë mbetjet bërthamore afër tyre. Sipas Chris Flavin, president i Institutit Worldwatch, grup mbikqyrës për mbrojtjen e mjedisit, çështja e magazinimit është problem i madh për mbështetësit e energjisë bërthamore.

“Fakti që japonezët magazinonin mbetjet bërthamore sepse nuk kishin zgjidhje tjetër, dhe kjo mënyrë magazinimi ka kontribuar në përkeqësimin e aksidentit bërthamorë në Fukushima, do të jetë një hap tjetër që do të ngadalësojë zhvillimin e mëtejshëm të energjisë bërthamore.”

Jetëgjatësia e një uzine bërthamore është rreth 40 vjet. Sipas Institutit të Energjisë Bërthamore, 61 centrale bërthamore në Shtetet e Bashkuara, më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm, kanë aplikuar për marrjen e liçencave që të vazhdojnë punën edhe për 20 vjet të tjerë. Instituti i Energjisë Bërthamore po shqyrton mundësinë që të kërkojë edhe 20 vjet shtesë, duke e çuar jetëgjatësinë e reaktorëve në 80 vejt. Miratimi i kërkesave për liçenca të tilla mund të varet tek shpresa e publikut se problemi i magazinimit të mbetjeve bërthamore eventualisht do të zgjidhet.

XS
SM
MD
LG