Lidhje

Ceremoni në ambasadën amerikane me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve


Ceremoni në ambasadën amerikane me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve
Ceremoni në ambasadën amerikane me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve

Në Shqipëri vazhdojnë festimet me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Mbrëmë në ambasadën amerikane në Tiranë u organizua një pritje e posaçme me këtë rast ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të vendit. Një mbrëmje në të cilën u rikonfirmua marrëdhënia e veçantë që ekziston mes dy vendeve. Ambasadori amerikan Alexandër Arvizu deklaroi se mbështetja amerikane do të vazhdojë:

"Sekretari Bejker degjoi nga shqiptaret që Amerika eshte me ne. Po absosultisht që jemi. Ne kemi qenë gjithmonë në anën e kombit shqiptar dhe do të vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Integrimi euroatlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e orientuar nga tregu dhe institucione të pavaruara e demokratike. Këto janë aspiratat e popullit shqiptar. Ju keni të drejtë t’i prisni këto".

Një figurë aktive në zhvillimet e brendshme në vend, ambasadori amerikan nënvizoi faktin se mundësitë e shqiptarëve për progres do të jenë më të mëdha nëse ata do të punojnë së bashku:

"Populli shqiptar ka folur vendosmërisht se si e përfytyron ai të ardhmen e vendit të tij. E ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja, në duart e të gjithëve. Ju përket ju ta përcaktoni të ardhmen. Mundësitë tuaja për sukses do të përmirësosheshin së tepërmi nëse punoni së bashku për një qëllim të përbashkët dhe për të mirën e përbashkët. E ndërsa e bëni këtë, duhet të jeni të sigurt se SHBA do të vazhdojnë të jenë në anën e popullit shqiptar, ndërsa ata punojnë së bashku për përmbushjen e të gjthë ëndërrave të gjthë brezave shqiptar, të shkuar të sotëm e të ardhshëm".

Shprehjet e mirënjohjes së veçantë nuk munguan nga autoritetet më të larta shqiptare të cilët kanë kujtuar të gjithë momentet kyçe në historinë e shqiptarëve ku mbështetja e Shteteve të Bashkuara ka qenë përcaktuese. Për presidentin Bamir Topi, shqiptarët janë aleatë të sigurt të Shteteve të Bashkuara:

"Ambasador Arvizu, ne u jemi shumë mirënjohës qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan për gjithçka që ato kanë bërë në historinë e trazuar të Shqipërisë gjatë dekadave! Ne ju jemi mirënjohës për gjithçka keni bërë për rilindjen e demokracisë dhe forcimin e institucioneve shqiptare. Ne u jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë perëndimorë, por askush më shumë se ju nuk ka punuar dhe po punon në Shqipëri siç keni bërë ju për forcimin e standardeve të demokracisë funksionale. Është një nder i madh për ne që të jemi bashkudhëtarë besnikë me ju kudo, në çdo mision, aty ku ka nevojë të rivendoset paqja dhe siguria në botë. Ne jemi aleatë modestë, por jemi aleatë të sigurtë".

Ndërsa sipas kryeministrit Sali Berisha, pro amerikanizmi i shqiptarëve do të zgjasë:

"Shqiptarët patën rastin ti dëshmojnë kombit tuaj dhe mbarë botës në pranverën e vitit ‘91 se vërtet ambasada e SHBA-ve pushoi së funksionuari gjatë viteve të egra të diktaturës, por kjo ndërtesë gjeti strehë të plotë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve. Çdo shqiptar është krenar me pro-amerikanizmin e tij, ndjenjë kjo e rrënjosur në lirinë e tyre dhe që do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë së tyre".

Por ceremonia e mbrëmshme nuk është e fundit, në serinë e aktiviteteve që do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme për të përkujtuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

XS
SM
MD
LG